Në pritje të Atletikos sonte në mbrëmje kundër Vajadolidit që mbyll javën e 31-të dhe mund të mbajë gjallë garën treshe për titullin në La Liga, Barcelona dhe Reali i Madridit, i zgjidhën me vuajtje ndeshjet e tyre kundër Leganes dhe Alavesh.Dy gjigantët spanjollë i zgjidhën takime e tyre më shumë me efikasitet sesa me shkëlqim. Reali dhe Barcelona do të përballen sërish mes tyre në maj në “El Clasicon”-n e dytë sezonale në La Liga dhe aty mund të vendoset gjithçka praktikisht. Deri më tani gjithçka është në avantazh Barçën e Flikut, e cila madje mund të festojë titullin në “Montjuïc” kundër rivalit të tyre të përjetshëm nëse arrin atë ndeshje të javës së 35-të me një avantazh prej gjashtë pikësh.
Atletiko ruan ende një litar shpëtimi, por do t’i duhet një mrekulli me dhjetë pikë nga kreu dhe me një ndeshje më pak. Kështu, me një ndeshje më pak në kalendar dhe të njëjtën distancë sigurie, koha shkon në favor të skuadrës blaugrana, e cila është e pozicionuar mirë për të shtuar titullin e 28-të të ligës në kabinetin e saj të trofeve. Megjithatë, kalendari kërkues dhe mospërputhjet e shfaqura këtë sezon kërkojnë kujdes, me rezultatin përfundimtar që ka të ngjarë të përcaktohet ndeshje pas ndeshje.
BARCELONA – Për kryesuesit e La Ligas, rruga nuk do të jetë e lehtë megjithë ecurinë mbresëlënëse prej 24 takimesh radhazi pa humbje në këtë vit kalendarik 2025. Pas barazimit (1-1) kundër Betisit në shtëpi fundjavën e kaluar, skuadra e Hansi Flik iu kthye fitores nga “Butarque” (0-1) me një nga ato fitoret që quhen prej titulli dhe aspak të bukur. Përplasjet kundër Selta Vigos dhe veçanërisht Majorkës dhe Vajadolidit do të varen nga rezultatet që skuadra e Flik do të arrijë në Kupën e Mbretit dhe Champions. “Kilometrat” e fundit janë vërtet imenjues: një “El Clasico” kundër Madridit në “Montjuiç”, një derbi në “Cornellà”, Vijarreali në shtëpi dhe ndeshja përmbyllëse e La Ligës kundër Bilbaos në “San Mamés”.
REAL MADRID – Rrugëtimi i vështirë dhe dueli i drejtpërdrejtë në “El Clasico” janë shanset e Realit të Madridit për një përmbysje të situatës për të fituar titullin. Pasi siguruan një përballje me Barçën në finalen e Kupës së Mbretit më 26 prill me më shumë vështirësi sesa pritej, pasi mposhtën Sociedadin dhe pësuan një disfatë të papritur kundër Valencias, madrilenët morën tre pikë të vështira në Vitoria, kundër Alavesh tre ditë përpara misionit për të përmbysur Arsenalin në Champions. Pritja e Bilbaos pa Mbape dhe udhëtimi për në Getafe do të përcaktojë trajektoren e skuadrës së Ançelotit, plani ideal i të cilit do të ishte të arrinte në “El Cásico”-n e javës së 35-të, e varur nga vetja. Për ta bërë këtë, atyre do t’u duhej një pengesë e Barçës.
ATLETIKO MADRID – Shanset e Atletikos, apriori, ishin shumë më të vogla se disa javë më parë. Por fitorja kundër Seviljes, e kombinuar me pengesat e Barcelonës dhe Realit, e mban skaudrën e Simeones edne në garë. “Colchoneros” do të zgjohen të hënën, përpara se të presin Vajadolidin e pashpresë për të mbyllur javën, gjashtë pikë prapa Realit dhe dhjetë pas Barcelonës. Me një kalendar kaq të ngjeshur për rivalët e tyre dhe pa impenjime të tjera, skuadra e Simeones do të shfrytëzojë shanset e saj derisa matematika të thotë të kundërtën. Avantazhi i Atletikos qëndron në një rrugë potencialisht më të favorshme se ajo e dy konkurrentëve të saj. Strategjia e tyre do të fokusohet në shkurtimin e diferencës së pikëve përpara përplasjes mes Barçës dhe Realit, duke qëndruar gjallë për sprintin e fundit të La Ligës së këtij sezoni.LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL