Chelsea dhe Manchester United po shqyrtojnë mundësinë e transferimeve të ndara që mund të përfshijnë Christopher Nkunku dhe Alejandro Garnacho, raportoi The Telegraph.
Edhe pse nuk flitet për një marrëveshje zyrtare shkëmbimi, të dy klubet mund të zgjidhin nevojat e tyre përmes këtyre lëvizjeve.
Garnacho, i cili nuk shihet më si pjesë e planeve të trajnerit të ri të Man United, Ruben Amorim, ka shfaqur shenja se dëshiron të largohet. Së fundmi, ai publikoi një foto me fanellën e Aston Villas me emrin e Marcus Rashford, duke shtuar spekulimet për një largim të mundshëm.
Edhe pse Aston Villa ka treguar interes për argjentinasin, lojtari thuhet se preferon të qëndrojë në Angli dhe është i hapur për një kalim te Chelsea.
Klubi londinez është në kërkim të një sulmuesi të krahut të majtë dhe Garnacho është një nga tre objektivat kryesorë, krahas Jamie Gittens të Borussia Dortmund dhe Malik Fofana të Lyon.
Chelsea kishte ndjekur Garnachon edhe gjatë afatit kalimtar të janarit, gjë që besohet se ringjalli interesin e Manchester United për Christopher Nkunku.
Francezi Nkunku, i cili iu bashkua Chelseat në qershor 2023 për 52 milionë funte nga RB Leipzig, ka pasur vështirësi për shkak të lëndimeve dhe nuk ka arritur të fitojë një vend të përhershëm në formacionin titullar nën drejtimin e Enzo Marescas.
Megjithatë, ai është një lojtar i njohur për drejtorin aktual të rekrutimit të Man United, Christopher Vivell, i cili ka punuar më parë si te Chelsea ashtu edhe te Leipzig.
Ndërkohë që bisedimet formale nuk kanë nisur ende, situata e të dy lojtarëve mund të përshpejtojë zhvillimet në javët në vijim.