Rafael Leao, i cili nuk u grumbullua për miqësoren me Realin e Madridit, ka qëndruar në Nju Jork për të ndjekur një program personal për gjetjen e formës. Ai ka përfituar nga qëndrimi në “Mollën e madhe” për të dhënë një intervistë për ESPN ku epiqendra e komenteve të tij kishte të bënte me Kristian Pulisiçin.
Duke qenë Milani në Çikago për miqësoren kundër Realit të Madridit, nuk kishte si të mos ishte pikërisht amerikani i “Djallit” epiqendra e pyetjeve për portugezin. “I njihja mirë cilësitë e Pulisiçit. Ai nuk po luante shumë te Çelsi, megjithatë nuk u habita aspak me pikatin që pati në skuadrën tonë pasi ka cilësi të shkëlqyera. Kur mbërriti në Milano i dërgova një mesazh dhe i shkrova: vëlla, le t’i ‘vrasim’ rivalët sepse kishim vërtetë nevojë për dikë si ai për të sjellë diçka ndryshe në fushë.”
LOJTARI CILËSOR – Si një nga liderët e skuadrës, Leao ka pritshmëri për dikë si amerikani që është vetëm 25 vjeç e ka thuajse një dekade që luan në Europë (Dortmund e Çelsi para Milanit). Gjithmonë klube elitare për Pulisiçin, për të cilin numri 10 kuqezi shtoi:
“Seria A është një kampionat shumë i komplikuar, mbrojtësit janë të fortë dhe ne kishim nevojë për dikë ndryshe, dikë me cilësi dhe shpejtësi dhe mendoj se Pulisiç është përshtatur shumë mirë në ekipin tonë. Jo vetëm unë, por i gjithë grupi është shumë i lumtur që e kemi atë si shok skuadre pasi është një lojtar që mund të ndryshojë lojën në një sekondë. Personalisht jam i kënaqur me të dhe pres që ai të përsërisë veten, ose ndoshta të përmirësohet më tej në sezonin që do të fillojë.
POZICIONI NË FUSHË – Leao nuk ka dyshime për pozicionin e amerikanit në fushë, pavarësisht se Fonseka flet prej ditësh për ta përdorur si fantazist dhe jo më ai anësor. Lidhur me këtë aspekt, Leao nuk kurseu opinionin duke thënë se: “Nuk jam trajner, por preferoj Kristianin kur luan si numri 10.
Nga qendra ka mundësi të zërë hapësirë si në të majtë ashtu edhe në të djathtë mendoj se mund të jetë shumë i rrezikshëm në atë pozicion, por në përgjithësi ai bën shumë mirë si mesfushor sulmues dhe në të djathtë. Personalisht do të më jepte disa asiste më shumë sepse së bashku mund të luanim shpejt, me një-dy o prekje në mes të fushës. Kristiani ka cilësi dhe mund të bëjë gjithçka”.
PANORAMASPORT.AL