Nëse nuk ke një buxhet të pakufizuar, duhet të zgjedhësh cilat dhoma të rinovosh të parat me një ndryshim arredimi dhe cilat, për momentin, mund të presin.Verën e kaluar, drejtori teknik i Juventusit, Kristiano Xhuntoli, kishte një portofol të fryrë mirë, por jo të pafund. Prandaj, ai e revolucionarizoi “Zonjën e Vjetër” nga porta deri në treçerekun e sulmit. Portierin titullar, disa mbrojtës, një çift mesfushorësh, mesfushorë ofensivë dhe anësorë.
Në repartin e sulmuesve të qendrës, në vend të kësaj, asnjë emër i ri. Çelësat iu dorëzuan Dushan Vlahoviçit dhe më pas Arkadiuzh Milikut, në pritje të një rikthimi që, megjithatë, nuk ndodhi kurrë. Kështu që në janar, Randal Kolo Muani përfaqësoi përforcimet e merkatos së dimrit dhe përgjegjësi i merkatos po mendon që tani për sezonin e ardhshëm.
REVOLUCION– Qëndrimi i francezit, në pronësi të Parisit, është gjithçka përveçse i sigurt dhe duhet të kalojë fillimisht nga një fundsezon i shkëlqyer prej tij dhe më pas nga një negociatë komplekse midis Juventusit dhe klubit të Kullës “Eiffel”, që një vit e gjysmë më parë investoi 90 milionë euro për kartonin e Kolo Muanisë. Për Milik pritet një zgjidhje konsensuale e kontratës një vit para skadencës, duke qenë se gjuri i tij i majtë e ka penguar të debutojë këtë vit. Vlahoviç, më në fund, me shumë gjasë do të shitet, sepse i ka mbetur vetëm një vit kontratë me një pagë prej 12 milionë eurosh dhe nuk ka dhënë asnjë sinjal për rinovim me kushte më të ulëta. Pra, zero sulmues qendre në skuadër për sezonin 2025-2026.
OSIMHEN DHE LUKMAN– Siç përflitet prej disa muajsh, ëndrra e madhe e Xhuntolit është Viktor Osimhen, njeriu të cilit në 2020 ia besoi ambiciet e Napolit dhe që dy sezone më parë ia shpërbleu me një kampionat të fituar dhe 26 gola. Por rruga drejt sulmuesit aktual të Galatasarait është e vështirë. Më 30 qershor përfundon huazimi i tij te turqit dhe ai do të jetë sërish në merkato, pasi presidenti Aurelio De Laurentis dëshiron të përfitojë financiarisht. Klauzola e largimit prej 80 milionë eurosh është çmimi i tij i vendosur, por i vlefshëm vetëm për klubet jashtë Italisë. Kështu, nëse vjen PSG ose ndonjë gjigant i Premier Ligës me këtë shumë, dera për bardhezinjtë do të mbyllet. Osimhen, megjithatë, ka shprehur një hapje të përgjithshme ndaj Juventusit, që mund të tentojë të bindë Napolin nëse nuk paraqiten oferta të huaja prej 80 milionësh. Një alternativë gjithsesi shumë ambicioze, por me më pak “nëse” dhe “por”, do të ishte bashkëkombësi i tij, Ademola Lukman, nga Atalanta. Më dinamik dhe një makinë golash më e vogël, por gjithsesi një xhevahir për repartin sulmues të Juves.
RETEGI- Në kuadër të një riorganizimi të përgjithshëm me elementë italianë, në Torino po shqyrtohen edhe emra nga rrethi i Kombëtares së Luçiano Spaletit. Dosja e lojtarit tjetër të Atalantës, Mateo Retegi, mund të analizohet më thellë. Lorenzo Luka do të kushtonte më pak, por është i ndjekur nga disa klube, veçanërisht nga Milani.
PANORAMASPORT.AL