“Jam ende i ri, por po luaj shumë. Ajo e së enjtes është ndeshja më e rëndësishme e karrierës sime”, – deklaroi Gennaro Gattuso para sfidës vendimtare “play off” ndaj Irlandës së Veriut. Nevojitet patjetër fitorja, për të shmangur mungesën në Botërorin e tretë radhazi të Italisë.
“Ka humor të mirë mes lojtarëve, jemi të karikuar. Grupi është në dispozicion, duhen mendje dhe këmbë. Kundërshtarët besojnë shumë. Bastoni është për t’u vlerësuar. Dy Botërorë të humbur ishin shok psikologjik, ndaj duhet ta kemi ‘dhëmbin e helmuar’ kësaj here.
Duhet të jemi të fortë mendërisht, të dimë të vuajmë dhe, me topin, të luajmë shpejt në 16-20 metrat e fundit. E ndiej peshën e krejt vendit mbi supe. Prej 7 muajsh më thonë ‘na çoni në Botëror’. Presioni është i madh, por jam mësuar”.
Në konferencë shtoi: “Fjalët e Lippit më emocionuan. Penalltitë? I provuam, të gjithë gjuajtën nga tri të tilla. Ekziston si mundësi. Ekzekutuesi i rregullt i tyre, gjatë lojës, është Retegui”.
Në fund, kushtrimi: “Varet nga ne, të luajmë pa frikë, si zotër të fushës. Duhet qetësi dhe vetëdije. Bastoni u stërvit 30-35%, do testohet sërish. Scamacca ndihet pak prapa në formë, Mancini, Politano dhe Calafiori janë gati”.