Gazetari francez Daniele Riolo ka vlerësuar forcën mendore të Kylian Mbappé, pas një jave të vështirë për sulmuesin e Real Madridit, mes polemikave në Kinë për një meme që lidhej me Mao Ce Dunin dhe zhgënjimit për mosfitimin e “Topit të Artë”.
“Duhet theksuar historia krejtësisht absurde që shpërtheu pas ‘Topit të Artë’. Mbappé tregoi një forcë mendore shumë mbi mesataren. U përball me një presion të jashtëzakonshëm, me përmasa politike dhe diplomatike, teksa vetëm pak ditë më vonë reagoi me një paraqitje të shkëlqyer”, – deklaroi Riolo në emisionin “L’After Foot” të RMC-së, duke iu referuar edhe golit të francezit kundër Racing Santander.
Megjithatë, gazetari beson se presioni ndaj Mbappé nuk do të përfundojë. “Gjithçka që lidhet me Mbappé është bërë irracionale. Edhe çështja e Suedisë ishte e rëndë, por pas dy muajsh hetime prokuroria nuk gjeti vepër penale. Tani, për shkak të një videoje të publikuar disa muaj më parë, Kina reagoi duke vendosur të mos transmetojë ndeshjet. Kjo është çmenduri!
A beson vërtet dikush se është teori konspirative të mendosh se ekziston një lloj komploti për ta rrëzuar Mbappe? Videoja që shfaqet tre muaj më vonë, çështja e Suedisë…, ka shumë rastësi”, – përfundoi Riolo.