Një ditë para ndeshjes finale të Kupës së Kosovës në futboll, janë caktuar edhe gjyqtarët që do ta ndajnë drejtësinë në këtë përballje.
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), të mërkurën ka bërë të ditur emrat e zyrtarëve të finales ndërmjet Ferizajt dhe Dukagjinit.
Genc Nuza do të jetë gjyqtari kryesor i ndeshjes dhe do të asistohet nga Fatlum Berisha e Bujar Selimaj, ndërsa Bardh Ajeti është gjyqtari i katërt.
Në VAR është caktuar Burim Jahmurataj, ndërsa ndihës i tij apo në AVAR, do të jetë Besnik Morina.
Finalja ndërmjet Ferizajt dhe Dukagjinit, do të zhvillohet të enjten nga ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Po ashtu, biletat për këtë finale kanë dalë në shitje të martën, ka bërë të ditur FFK-ja.
Si Ferizaj ashtu edhe Dukagjini po e kërkojnë triumfin e parë në Kupën e Kosovës, ndërsa skuadra fituese do ta sigurojë daljen në garat e UEFA-s për sezonin e ardhshëm.