Genoa ka zyrtarizuar emërimin e Daniele De Rossi-t si trajner të ri të skuadrës. Lajmi është bërë publik përmes kanaleve zyrtare të klubit “rossoblù”. Ish-mesfushori i Romës ka nënshkruar një kontratë tetëmuajshe, me rinnovim automatik për një vit në rast se skuadra arrin objektivin e mbijetesës në Serie A.
Në njoftimin zyrtar, Genoa bëri të ditur se De Rossi ka zhvilluar tashmë takimin e parë me lojtarët dhe do të drejtojë seancën stërvitore të pasdites në qendrën sportive “Signorini”.
Një fakt interesant është se De Rossi do ta nisë aventurën e tij të re në të njëjtin stadium ku përfundoi përvojën e mëparshme si trajner. Ndeshja e fundit që ai drejtoi me Romën, në vitin 2024, ishte pikërisht kundër Genoas dhe përfundoi 1-1. Në fund të atij takimi ai u përjashtua me karton të kuq, çka do ta detyrojë të mos jetë në stol në debutimin e tij këtë të diel.
Sfida e parë e De Rossit do të jetë kundër Fiorentinës, ekip me të cilin ai ishte lidhur si kandidaturë për trajner pak javë më parë. Ndeshja do të jetë një provë e menjëhershme për ish-kapitenin e Romës, që synon të sjellë energji të re dhe stabilitet te skuadra gjenoveze.


