Fillimisht një asist në debutim e më pas një gol në ndeshjen pasardhëse. Gjithçka në më pak se 72 orë. Santiago Gimenez është emri më i lakuar në ambientet milaniste, por aventura e tij sapo ka nisur.
Mbi objektivat dhe ambiciet, meksikani ka dhënë një intervistë.
Si ka qenë fëmijëria juaj? Argjentina është një vend që unë e dua, ku jeton e gjithë familja ime, është vendi ku kam kaluar katër vitet e para të jetës sime. Pastaj babai im, i cili ishte futbollist, duhej të transferohej në Meksikë për punë dhe kështu që shkova me të në Meksikë. Dhe aty e kalova gjithë fëmijërinë time. Pa dyshim, Argjentina është një vend ku ndihem si në shtëpinë time ashtu si Meksika. Nëse do të më duhej të zgjidhja, padyshim, ndihem më meksikan thjesht sepse kam jetuar gjithë jetën në Meksikë, por gjithashtu mbaj Argjentinën në zemrën time.
Si nisi karrierë juaj? Kam qenë gjithmonë i çmendur pas futbollit dhe doja të luaja e jo vetëm ta shihja. Jam rritur në një epokë kur Serie A ishte kampionati më i mirë në botë dhe kjo më bëri të ndjek Serinë A.
A është e vërtetë që Milani ka qenë gjithmonë ëndrra juaj? Po dhe për fat, gjithçka shkoi pikërisht ashtu siç doja. Që fëmijë e kam ndjekur gjithmonë Milanin, është një nga skuadrat me të cilat kam qenë i dashuruar kur kam qenë i vogël. Kam parë Kakanë, Bekhamin, Ronaldinjon, Ronaldo dhe Gatuzo duke luajtur me fanellën kuqezi. Praktikisht i gjithë ai grup lojtarësh që magjepsi botën. Dhe që kur isha fëmijë, Milani ka qenë ëndrra ime. Kur më telefonuan drejtuesit, thashë me vete: kam këtë mundësi dhe nuk do ta lë të më ikë.
Në rrjet qarkullon një foto e juaja kur ishit i vogël me fanellën e Kakasë te Milani… Është një nga fotot e shumta që kam me fanellën e Milanit. Kam pasur edhe nderin të takohem me Kakanë i cili është një model për mua, jo vetëm për futbollin, por edhe sepse ndajmë të njëjtin besim. Dhe ai gjithmonë më motivonte, më fliste për besimin dhe gjithmonë më frymëzonte. Që asokohe kuptova se Milani ishte destinacioni i duhur për mua.
Shënuat ndaj Empolit. Çfarë do të thotë goli për ju? Ka një kuptim që shkon përtej futbollit. Ndoshta dikush mund të thotë se unë e teproj duke folur shumë për besimin, por të falënderoj Zotin në gjunjë përpara të gjithë stadiumit dhe para miliona kamerave është mënyra më e mirë për t’i dhënë lavdi dhe gjithashtu për të qenë shembull sesi me Zotin gjithçka është e mundur.
Si është të jesh meksikani i parë i Milanit? Një privilegj dhe një nder. Vetëm të jesh te Milani, pavarësisht kombësisë, është një nder dhe dua t’i përfaqësoj ngjyrat e vendit tim në mënyrën më të mirë të mundshme.
Çfarë ju lidh me Italinë? Stërgjyshi im ka lindur në Itali, është italian dhe falë tij kam mundur të marr pasaportën italiane. Gjithashtu për këtë më vjen pak turp që nuk di italisht, por do të marr mësime dhe do të mësoj shpejt. Tani për tani e kuptoj pak sepse është e ngjashme me spanjishten.
Botërori i vitit të ardhshëm luhet edhe në Meksikë. Si do të jetë? Për mua nuk ka krenari më të madhe se të përfaqësoj kombëtaren, vendin tim, kështu që të luash një Botëror në shtëpi do të jetë një privilegj. Por në fund çdo lojtar rritet duke luajtur për klubin e tij. Kështu që tani po mendoj t’i jap gjithçka Milanit për të arritur në formë të shkëlqyer në Kupën e Botës, por edhe për të sjellë shumë gëzim mes tifozëve kuqezi.
7, 29, 11 janë numrat që keni përdorur. Cilin preferoni? 29 është numri me të cilin kam debutuar dhe më pas e kam pasur edhe te Fejnordi. 29 është i veçantë, por edhe 11-shi që mbaj në kombëtare. Te Milani 7 ishte i lirë, u përpoqa t’i gjeja një kuptim dhe ka një shumë të rëndësishme: numri perfekt sipas Biblës.
Çfarë ju bën të lumtur? Kur jam me familjen mendoj se është momenti i lumturisë më të madhe sepse jam familjar dhe më jep shumë dashuri dhe lumturi, si dhe momentet që kaloj vetëm me Zotin. Ato janë momentet më të bukur e të lumtura për mua.
Sa e vuani presionin? Në këtë nivel luani nën shumë presion për shkak të pasionit të tifozëve. Mendoj se presioni përballohet duke dhënë gjithçka në fushë. Kur dal nga fusha duhet të mendoj se kam dhënë gjithçka. Në futboll fitohet dhe humbet, por nëse qëndron i qetë e menaxhon edhe presionin.
Cila ka qenë këshilla më e mirë që keni marrë ndonjëherë? Mbaj mend që kur më thanë se duhej të ndaloja së luajturi, u mbylla në një dhomë dhe e pyeta babin pse po më ndodhte kjo. Ai tha se nuk e dinte, se duhet të pyesja Zotin. Dhe me atë këshillë jeta ime ndryshoi plotësisht. Fillova udhëtimin tim me Zotin dhe besimin.
Përse keni pseudonimin “Bebote” (Bebushi i madh)? Më ka mbetur nga fëmijëria dhe lidhet me pasioni dhe gëzimin me të cilin hyj në fushë. Kur je i ri, luan pa presion dhe me shumë pasion, por kur arrin në ekipin e parë, fillon të mendosh se çfarë do të thonë tifozët. Dhe kjo ndonjëherë të pengon të luash lirshëm. Mundohem të luaj si fëmijë, pa presion. Prindërit e mi, e gjithë familja ime më thërrisnin “Bebote” kur isha i vogël sepse isha më i madh se shokët e mi. Një shok i babait tim, që punonte në TV, e dinte që më thërrisnin ashtu dhe një herë teksa komentonte një ndeshje, kur shënova gol, ai më thirri “Bebote”. Që aty më ngeli.
Nesër Milani do të luajë ndeshjen e parë play-off kundër Fejnordit. Cilat janë emocionet dhe mendimet tuaja? Kisha shumë emocione pas shortit. Doja Milan-Fejnord sepse, nëse do të kisha qëndruar në Holandë, do të isha përballur me skuadrën për të cilën ëndërroja të luaja. Tani që jam këtu, do të jetë e mrekullueshme të kthehem në Roterdam, jam shumë i lidhur me Fejnordin dhe do të jem në gjendje të përjetoj një natë të mrekullueshme me të cilën do të jem në një skuadër e mrekullueshme.
REINOLD BAKALLI-PANORAMASPORT.AL