Është provinca e vogël spanjolle jashtëzakonisht krenare që mban më shumë yje “Michelin” për kokë në planet. Megjithatë, tani ka edhe reputacionin po aq të rëndësishëm të një vendi për prodhimin e trajnerëve yje gjithashtu, sigurisht për sa i përket Premier Ligës.
Me një popullsi prej rreth 750,000 banorësh dhe dhjetëra restorante të klasit botëror, Gipuzkoa, një enklavë baske në kufi me Pirenejtë, është e ngjashme në madhësi me Notingemin. Por me fillimin e një sezoni tjetër, jo më pak se katër nga 20 klubet më të mira të Anglisë kanë menaxherë që vijnë nga ky rajon. Mikel Arteta i Arsenalit, shefi i Aston Vilës, Unai Emeri, trajneri i Bornmëthit, Andoni Iraola dhe Julen Lopetegui duke u kthyer në Premier Ligë tek Uest Hemi, kanë lindur atje. Siç ka ndodhur edhe për Huanma Lijon, krahu i djathtë i Pep Guardiolës te kampionët shumëvjeçarë të Mançester Sitit. Dhe sa për ta shtuar këtë listë, edhe Ksabi Alonso, Bajer Leverkuseni i të cilit i dha fund dominimit të Bajernit të Mynihut në Bundesligë, është një tjetër emër i madh, bir i një qyteti të vogël.
Është një linjë prodhimi mahnitëse e talenteve nga provinca më e vogël në Spanjë, e cila mbulon pak më shumë se 2000 metra katrorë. Një pushtim bask është bërë forca dominuese në pankinat e ligës më të fortë në botë. Tre prej tyre, Emeri, Arteta dhe Lopetegui e nisën karrierën e tyre me Sociedadin, ashtu si edhe Alonso. Iraola i kaloi ditët e tij si futbollist me Atletik Bilbao, klubi i njohur për politikën e tij të lojës tërësisht baske. Alonso, Arteta dhe Iraola ishin edhe bashkëlojtarë para adoleshencës tek Antiguoko, klubi i famshëm spanjoll i të rinjve që ka zbuluar diamante të panumërt gjatë dekadave. Aritz Aduriz, i cili kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij përkrah Iraolës te Bilbao, është një tjetër emër që doli nga e njëjta epokë. Dhe ish-sulmuesi i Spanjës, tani ndihmës drejtori sportiv i Majorkës, mendon se e di pse rajoni bask vazhdimisht godet duke prodhuar një plejadë të artë. 43-vjeçari tha: “Ata kanë shumë karakteristika të përbashkëta si orë pune të palodhur, këmbëngulje dhe të qenit të sinqertë me veten dhe lojtarët.
Në futbollin bask, përkushtimi, ndershmëria dhe respekti për fanellën janë rrënjosur menjëherë që nga kategoritë më të ulëta. Kjo është diçka që ne të gjithë e kërkojmë nga vetja dhe më pas e kërkojmë nga të tjerët. Dhe në Bilbao na kanë thënë gjithmonë se duhet t’i fitosh gjërat, në jetë gjërat nuk të vijnë vetë. Ky është realiteti i jetës dhe kushdo që luan për skuadrat baske së shpejti e ka atë mentalitet të rrënjosur tek ta”. Ekziston gjithashtu një thënie e vjetër se asnjë lojtar i vetëm nuk mund të jetë më i madh se grupi, sado i madh të jetë ylli. Jon Ajerbe, një bashkëlojtarë i dikurshëm i Antiguokos me Artetën, Alonson dhe Iraolan, zbuloi: “Ka një ndjenjë të fortë për t’i bërë gjërat si grup. Askush nuk përpiqet të dallohet nga pjesa tjetër. Kjo ide është thellë në shoqërinë këtu dhe ju e shihni qartë te Ksabi dhe Andoni janë reflektues, inteligjentë dhe jo mendjemëdhenj”.
Dhe këmbëngulja e Bilbaos për t’iu përmbajtur talentit të prodhuar në shtëpi shtrihet përtej fushës. Aduriz shtoi: “Mentaliteti ynë është t’i japim shumë rëndësi dhe të përdorim të rinjtë vendas. Me natyrën konkurruese që kemi, është një vlerë e rëndësishme për skuadrat në zonën tonë dhe pse eksportojmë kaq shumë lojtarë dhe trajnerë të nivelit të lartë në Spanjë dhe jashtë saj”. Dhe mesa duket eksporti më i madh bëhet në Premier Ligë. Nuk është çudi që kaq shumë tifozë të Liverpulit ishin të dëshpëruar që Alonso të zëvendësonte Jyrgen Klopin këtë verë.
ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL