Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Alain Giresse ka folur për media në prag të sfidës ndaj Bjellorusisë.
Djelmoshat tanë do luajnë ndeshjen e dytë të këtij muaji në kuadër të kualifikimeve për në Euro 2024, ndaj Bjellorusisë, përcjellë lajmi.net.
Për shkak të luftës në mes Rusisë dhe Ukrainës ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Bjellorusisë është zhvendosur në Hungari.
Tri barazimet në tri ndeshjet e para, ndaj Izraelit, Andorrës dhe Rumanisë, kanë bërë që “Dardanët” t’i minimizojnë gjasat për kualifikim në EURO 2024 pasi renditen në vendin e katër në Grupin I me vetëm tri pikë, derisa dy vendet e para mbahen nga Zvicra me nëntë pikë dhe Rumania si e dyta me shtatë sosh.
Bjellorusia nga ana tjetër është ende pa asnjë fitore, derisa ka pësuar tri humbje në tri ndeshjet e zhvilluara në këtë grup.
Sipas Alain Giresse Kosovës në tri ndeshjet e para u ka munguar goli.
“Nuk do doja të kthehesha në tri ndeshjet e para, siç keni pa kemi pasur ndeshje të mirë, por na ka munguar goli.
Ajo që na duhet më shumë është të punojmë për të arritur qëllimet që i kemi”, tha fillimisht francezi.
Ai u pyet për ekipin startues për nesër, por refuzoi të tregojë, teksa tha se do të jenë në fushë 11 lojtarët më të duhur sipas tij.
“Ajo që mund të them është normalisht që e kemi të qartë cila do jetë ndeshja ideale për Kosovën, por duhet të përshtatemi me rrethanat siç është edhe ndryshimet për shkak të lëndimeve
Nuk mund të konfirmojë asgjë për 11-shen e nesërme, por do jetë 11-shja më e mirë, e duhura për të arritur qëllimin tonë që është fitorja”, vazhdoi më tej ai.
Milot Rashica u zëvendësua herët ndaj Rumanisë, dhe francezi tregon që është në dyshime për nesër, por me ekipin do jetë Mirlind Kryeziu.
“Sa i përket Milotit nuk e kemi të qartë nëse do jetë i gatshëm nesër, pasi gjendja e tij fizike është duke u përcjellë dhe do ta kuptojmë në seancën e sotme.
Mirlind Kryeziu nuk ka qenë i gatshëm për ndeshjen e parë, por do jetë për atë nesër”, citoi më tej ai.
Tutje ai u pyet edhe për Ermal Krasniqin dhe tha se llogarit në të, prandaj është edhe me ekipin.
“Nëse pyesin për Krasniqin secili flet për një lojtar të tij favorit.
Por duhet ta keni parasysh edhe përvojën, por unë patjetër që llogarisë në Krasniqin, prandaj është këtu me ne”, ishin fjalët e Giresse.
Ai në fund tha që e kanë studiuar lojën e kundërshtarit, por do përpiqen që t’i bëjnë ata t’u përshtaten Kosovës dhe jo të ndodhë e kundërta.
“E kemi studiuar lojën e Bjellorusisë, siç kanë bërë edhe ata ndaj neve.
Por ne nuk duhet tu përshtatemi mënyrës së lojës së kundërshtarit, por të imponojmë lojën tonë dhe të jemi ne që do ta dominojmë dhe ata të na përshtaten neve”, përfundoi Giresse.
Ballafaqimi ndërmjet Bjellorusisë dhe Kosovës do të zhvillohet të hënën me fillim nga ora 20:45 në stadiumin “Szusza Ferenc Stadion” në Budapest./Lajmi.net/