Trajneri nga Kroacia, Jeronimo Sarin ka fituar trofe në basketbollin kosovar në të shkuarën, por ai që e fitoi javë me parë me Vëllaznimin e Gjakovës mbetet i veçantë.
Vëllaznimi për herë të parë në histori të klubit triumfoi në Ligën Unike kurse për ekipin nga Gjakova ky ishte trofeu i parë pas hiq më pak se 29 vjetësh.
Tani, Vëllaznimi në sirtarin e tij ka tre trofe, dy të Kupës së Kosovës të fituar në vitet e 90-ta dhe këtë të Ligës Unike që është i veçantë për skuadrën gjakovare.
“Mendoj se kur nuk ke fituar diçka për një kohë të gjatë dhe pas kësaj periudhe fiton trofe atëherë kjo është dhe mbetet diçka e veçantë sikurse për mua si trajner ashtu edhe për lojtarët dhe drejtuesit e klubit. Megjithatë, pavarësisht asaj se çka fiton, ti duhet të luftosh për suksese tjera por edhe nëse sezoni mbaron tani, mund të them se ky është sezoni më i suksesshëm ndonjëherë në Gjakovë”.
Sarin zbulon se për suksesin e Vëllaznimit në Ligën Unike, garë e përbashkët mes Kosovës e Shqipërisë, kanë kontribuar të gjithë personat e përfshirë në klub.
Sarin mori drejtimin e klubit në tetor të vitit të shkuar duke e zëvendësuar Branimir Paviqin.
Sarin insiston se në secilin klub dhe qytet të Kosovës që ka punuar ka kujtime shumë të mira por insiston se në Gjakovë po e kalon kohën e tij më të mirë pasi i duket si Shibeniku.
Ditën e tij në Gjakovë, Sarin e përshkruan si tipike kroate, me një kafe mëngjesi pastaj stërvitjet e paradites dhe stërvitjet e mbrëmjes kur përmbyllet dita e tij.
Këtë rutinë mund t’ia prish vetëm ndonjë gjë e rëndësishme, siç është fitorja, të cilën del për ta festuar.