Moldavia ka nisur grumbullimin sot për ndeshjet e kualifikuesve të Euro 2024, ku do të përballet fillimisht me Shqipërinë e më pas me Çekinë, me shanse reale për kualifikimin nëse merr fitore në të dy këto sfida.
Moldavët vijnë me shumë eufori në këto ndeshje dhe me një formë të papritur të lojtarëve, pasi 6 prej emrave të përzgjedhur nga trajneri Sergei Kleshenko kanë gjetur golin këtë fundjavë me klubet përkatëse. Mbrojtësit Artur Kraçiun, Vladislav Baboglo dhe Vjaçeslav Poshmak, mesfushori Vadim Rata si dhe sulmuesit Virgílio Postolaki dhe Ion Nikolaesku gjetën të gjithë rrjetën, duke çuditur shumëkënd në Moldavi, përfshirë edhe vetë trajnerin e përfaqësueses.
“Ashtu si për ju, ishte një surprizë e këndshme për ne. Me të vërtetë një numër i madh lojtarësh kanë shënuar gola për klubet e tyre. Kjo bën të mundur që ata të arrijnë në një gjendje shumë të mirë psikologjike. Ne jemi edhe më të lumtur kur ata kthehen të shëndetshëm nga klubet e tyre, sepse kemi shumë pak kohë për t’u përgatitur”, tha trajneri në një intervistë për “Mold Football”, rreth startit të pazakontë të grumbullimit.
PANORAMASPORT.AL