Te skuadra e Hackenit nuk e kanë një datë të saktë për rikuperimin e plotë të portierit Etrit Berisha.
Berisha i mungoi Hackenit në ndeshjen e fundit kampionale ndaj Hammarbyt, të cilën e humbi me rezultatin e thellë 4:0.
Portieri shqiptar i ka munguar Hackenit në tri prej pesë ndeshjeve të fundit, ku ekipi i tij ka regjistruar një fitore karshi katër humbjeve.
Ai po ankohet nga një lëndim në shpinë dhe situata e tij mbetet e paqartë, pasi një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe trajneri i Hackenit, Jens Gustafsson.
“Është diçka që nuk mund ta përcaktojmë saktësisht. Me probleme me shpinën, është vështirë ta dimë saktësisht se kur do të jetë gati, por po bëjmë gjithçka dhe po shpresojmë ta tejkalojmë këtë situatë”, ka thënë Gustafsson.
Porteri 36-vjeçar që ka kontratë deri në fund të vitit 2027 me Hackenin, këtë sezon ka regjistruar 16 paraqitje në kampionat.