Gjermania dhe Turqia janë dy skuadrat finaliste të kampionatit evropian në basketbollin e meshkujve. Në gjysmëfinale, gjermanët eliminuan Finlandën, ndërsa Turqia likuidoi Greqinë me shifrat 94-68.
Mbrëmjen e së dielës luhet finalja e kampionatit evropian të basketbollit për meshkuj, aty ku Gjermania përballet me Turqinë, ndërsa trofeun do ta fitojë vetëm njëra prej tyre. Në 5 duelet e fundit direkte mes tyre në të gjitha kompeticionet, 3 triumfe i takojnë ekipit turk dhe 2 Gjermanisë. Të dyja skuadrat kanë zhvilluar një rrugëtim të mrekullueshëm deri më tani në kampionatin evropian, ku Turqia në sfidën pararendëse mposhti Greqinë, duel i cili u mbyll me shifrat 94-68.
Sa i përket Gjermanisë, ishte përfaqësuesja e parë e cila preku finalen e madhe, pas një performance të mrekullueshme në gjysmëfinalen me Finlandën, që po ashtu bëri një paraqitje dinjitoze deri më tani. 98-68 ishte rezultati përfundimtar, duke konfirmuar diferencat mes dy skuadrave, teksa edhe më interesante pritet të jetë përballja e së dielës.
Në letër, favorite është Gjermania, por duelet e mëparshme mes tyre konfirmojnë se asgjë nuk është e parashikueshme dhe se dueli do të jetë spektakolar. Përballjet mes këtyre dy skuadrave kanë nisur në vitin ’93, teksa ballafaqimi i fundit është i pak javëve më parë, ku gjermanët fituan me dy pikë diferencë.