Thashethemet për një rikthim të Manuel Neuer në ekipin kombëtar gjerman po marrin gjithnjë e më shumë hov.
Pas një viti nga tërheqja e tij nga Kombëtarja, drejtori sportiv i DFB-së, Rudi Voller, raportohet se ka kontaktuar portierin e Bayern Munich, duke i kërkuar të shqyrtojë mundësinë e një kthimi.
Sipas “Sport Bild”, një rikthim i 39-vjeçarit do të ishte i mundur vetëm nëse përmbushen dy kushte kryesore.
Së pari, Marc-Andre ter Stegen (33 vjeç), aktualisht në radhët e Barcelones, duhet të mos arrijë të sigurojë një vend titullari të qëndrueshëm pas rikuperimit nga dëmtimi.
Së dyti, trajneri Julian Nagelsmann duhet të jetë i gatshëm të afrohet personalisht me Neuerin dhe ta bindë për një rikthim të bujshëm në kombëtare.
Brenda DFB-së ka tashmë zëra që kërkojnë që Nagelsmann ta shqyrtojë seriozisht këtë opsion, duke parë formën e lartë që portieri legjendar po shfaq ende me Bayern Munich.
Edhe pse Neuer e mbylli karrierën ndërkombëtare pas Euro 2024, performancat e tij të qëndrueshme kanë ringjallur debatin për rikthimin e tij mes tre shtyllave të Gjermanisë.
Aktualisht, Oliver Baumann (35 vjeç) po e mban me sukses rolin e portierit të parë të kombëtares, gjë që e bën situatën edhe më delikate.
Megjithatë, një rikthim i Neuerit, sado i vështirë nuk mund të përjashtohet plotësisht, veçanërisht nëse forma e tij në Bundesligë mbetet e lartë dhe DFB kërkon përvojë shtesë për Botërorin e ardhshëm.


