Interi do të përballet sot me Atalantën në orën 18:00 në “Gewiss Stadium” në ndeshjen e vlefshme për javën e 11-të të Serisë A. Kryesuesit do të përpiqen të mbajnë të paprekur vijimësinë e tyre pozitive në transfertë dhe mbi të gjitha të mbajnë të paprekur diferencën me ndjekësit. Nuk do të jetë e lehtë ama dhe këtë e ka paralajmëruar edhe Simone Inzagi (i zgjedhur trajneri më i mirë i muaji tetor nga Liga e Serisë A dhe do t’i jepet çmimi para sfidës me Frozinonen në shtëpi), që në intervistën për kanalin e klubit ditën e djeshme, ka paralajmëruar skuadrën për atë që e pret në Bergamo.
Atalanta është ndoshta skuadra më e komplikuar për t’u përballur për shkak të mënyrës së lojës. Cili është aspekti më i rëndësishëm për t’u përcjellë lojtarëve në këtë ndeshje?
Do të jetë një ndeshje impenjative. Ne e njohim Atalantën që ka bërë mirë prej vitesh, ka një trajner të shkëlqyer dhe një skuadër të shkëlqyer, e cila gjithashtu po arrin rezultate në këtë kampionat. Do të jetë një ndeshje ku do të duhet të mbajmë përqendrimin shumë të lartë.
Kundër Romës treguat shumë përqendrim. Kundër Atalantës, aspekti psikologjik apo ai taktik do të jetë më i kuruar?
Të gjitha aspektet janë shumë të rëndësishme. Do të duhet të mbajmë qartësinë që kemi pasur në ndeshjet e fundit edhe në Bergamo, po përballemi me një ekip që ka cilësi teknike dhe fizike.
Ndaj Romës, përveç një rasti nuk lejuat asgjë në mbrojtje. Si ndryshon qasja mbrojtëse ndaj Atalantës?
Sigurisht që do të duhet të jemi gjithmonë shumë të koncentruar, në ndeshjet e fundit kemi bërë mirë në nivel mbrojtës. Nesër (sot) do të duhet të jemi të mirë për të vuajtur së bashku në disa momente të ndeshjes, sepse e njohim kundërshtarin me të cilin do të përballemi.
Interi është skuadra që ka përqindjen më të lartë të dueleve të fituara në Europë, 56%, ndërsa Atalanta është në 50%. A do të thotë kjo se duhet të presim një garë shumë fizike?
Absolutisht që po, të dhënat janë të rëndësishme. Takohen dy skuadra që kanë fizik dhe shumë armë, nesër (sot) do të jetë një ndeshje e shkëlqyer në një fushë që nuk është e thjeshtë.
Atalanta është i vetmi ekip në pesë kampionatet kryesore europiane që nuk ka humbur apo pësuar në shtëpi. A është kjo nxitje për ju?
Ndeshja ofron shumë stimuj, ne e dimë qartë këtë fakt. Atalanta ka pësuar shumë pak gola dhe asnjë në shtëpi, ata po i kushtojnë shumë vëmendje fazës së mbrojtjes, por kanë qenë gjithmonë një ekip që nuk lëshon shumë, do të duhet të jemi të mirë në këtë aspekt.
Duke folur për disa individë, sa u habitët nga mësimi i shpejtë i Turamit për të gjitha situatat e lojës?
Markus ka qenë i zoti, që nga 13 korriku të gjithë djemtë kanë punuar shumë mirë, gjithmonë është “ne” përpara, jo “unë”. Ata po punojnë shumë mirë së bashku, si grup. Markus është përshtatur në mënyrën më të mirë të mundshme falë ndihmës së të gjithëve dhe për mendimin tim ai ka ende hapësirë për përmirësim. Ai duhet të vazhdojë të rritet siç po bën çdo ditë kur vjen këtu për t’u stërvitur.
Përgatiti: NISLI GJINI – PANORAMASPORT.AL