Gjuri i Mateta “frenon” Milanin, klubi dërgon një mjek në Londër për të marrë garanci
Kuqezinjtë kanë arritur akordin total me Crystal Palace dhe lojtarin, që ka kryer vizitat mjekësore, por për momentin lëvizja ka mbetur pezull.
Crystal Palace ka mbyllur blerjen e Strand Larsen nga Wolverhampton për 57 milionë euro, duke i hapur rrugën shitjes së Jean-Philippe Mateta. Sulmuesi francez është afër Milanit, pas akordit që kanë gjetur dy klubet. “Djalli” duhet të paguajë 35 milionë euro te klubi anglez, kurse për lojtarin ka gati kontratën 3-vjeçare, me 3-3.5 milionë euro në vit, plus bonuset.
Kushtet janë plotësuar të gjitha, Mateta u la jashtë për ndeshjen e fundit ndaj Nottingham Forest dhe sipas shtypit anglez, ka kryer edhe vizitat mjekësore në Londër. Megjithatë, operacioni ka mbetur pezull.
Klubi kuqezi po reflekton, duke parë që Nkunku do të qëndrojë dhe Gimenez po kthehet. Por ka edhe një dyshim që vjen nga Anglia dhe që lidhet me gjendjen fizike të lojtarit francez.
“Milani po kryen vizita të specializuara për gjurin e Mateta pas dëmtimit të fundit, – shkruan ‘TEAMtalk’. – Nuk ka asnjë indikacion se operacioni ka rënë poshtë, por bëhet fjalë për një lëvizje të rëndësishme për Milanin, që kërkon të jetë krejtësisht i qetë përpara se të procedojë”.
Klubi kuqezi ka menduar të dërgojë një mjek në Londër për të bërë vlerësimin e gjurit të Mateta. Në rast të një përgjigjeje pozitive të mjekut, lojtari do të udhëtojë menjëherë drejt Italisë për firmën. Gjithçka varet nga përgjigja e vizitave mjekësore.