Gjykata e Arbitrazhit për Sport (CAS) ka hedhur poshtë ankesën e paraqitur nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ndaj Federatës Rumune të Futbollit (FRF) dhe UEFA-s, në lidhje me shpalljen e ndeshjes së humbur nga Kosova në kuadër të Ligës së Kombeve të UEFA-s, të zhvilluar më 15 nëntor 2024.
Trupi i Apelit i UEFA-s kishte vendosur (“Vendimi i Kontestuar”) që ndeshja mes Kosovës dhe Rumanisë në Ligën e Kombeve 2025 të konsiderohej e humbur nga ana e Kosovës, pasi lojtarët e kombëtares kosovare kishin braktisur fushën si pasojë e koreve nga tifozët rumunë. FFK kërkoi nga CAS që t’i atribuonte përgjegjësinë Federatës Rumune për ndërprerjen e ndeshjes dhe që të anulohej gjoba prej 6 mijë eurosh e vendosur nga UEFA ndaj FFK-së.
Seanca dëgjimore u zhvillua më 24 mars 2025 në selinë e CAS në Lozanë. Pas shqyrtimit të provave, Paneli konstatoi se vendimi për të lënë fushën ishte marrë në mënyrë të njëanshme nga lojtarët e Kosovës, pa ndonjë udhëzim zyrtar nga gjyqtari, dhe se ata mbanin përgjegjësinë për ndërprerjen e ndeshjes. Paneli e pranoi se arsyet që çuan në këtë vendim kishin të bënin me kore të papranueshme nga tifozët rumunë, por theksoi se këto nuk justifikonin largimin nga fusha, pasi vendimmarrja për ndonjë masë të tillë i takonte vetëm gjyqtarit të ndeshjes. Për më tepër, u theksua se lojtarët e Kosovës kishin refuzuar qartësisht udhëzimin e gjyqtarit për të vazhduar ndeshjen.
Si përfundim, CAS vendosi se përgjegjësia për moszhvillimin e ndeshjes i takonte FFK-së dhe jo FRF-së. Ankesa e FFK-së u refuzua dhe vendimi fillestar i UEFA-s mbetet në fuqi.
Ndërkohë, më 13 shkurt 2025, CAS kishte hedhur poshtë edhe një ankesë të veçantë të paraqitur nga FRF kundër UEFA-s, lidhur me sanksionet për sjelljen raciste dhe/ose diskriminuese të tifozëve rumunë dhe transmetimin e mesazheve politike provokuese të papërshtatshme për një ngjarje sportive. Në atë rast, CAS vlerësoi se shkeljet ishin të rënda dhe se gjobat e vendosura (në total 128 mijë euro) nuk ishin të pajustifikuara.