Gjyqtari ndërkombëtar nga Kosova, Bekim Zogaj ka konfirmuar pensionimin nga gjykimi i ndeshjeve të futbollit dhe punën e re që pritet ta ketë në Federatën e Futbollit të Zvicrës.
Zogaj është një emër i njohur i futbollit evropian, pasi për 14 vite ka ndarë drejtësinë në futbollin zviceran, por edhe në garat elitare të klubeve dhe shteteve në Evropës.
Megjithatë, paraqitjet e tij në Kampionatin Evropian “Gjermani 2024” kanë qenë të fundit për të si gjyqtar, pasi Zogaj ka njoftuar pensionimin.
Deçanasi i rritur dhe formuar në Zvicër ka konfirmuar një gjë të tillë në rrjetet sociale, teksa ka konfirmuar se do t’i bashkohet Federatës së Futbollit të Zvicrës si zëvendësshef i gjyqtarëve dhe shef i asistentëve në futbollin profesional helvetik.
“Çdo gjë ka një fund. Edhe karriera ime si gjyqtarë (asistent). Ishte një rrugëtim i jashtëzakonshëm, ndeshje në Euro 2024, në Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës, Ligën e Konferencës, Ligën e Kombeve dhe në shumë kampionate të tjera”.
“Pas kampionatit Evropian (Euro 2024) Federata Zvicerane më ka ofruar një pozitë si zëvendësshef i gjyqtarëve dhe shef i asistentëve në futbollin profesional të Zvicrës. Nga data 1.10.2024 do ta marrë ketë detyrë. Paraqitjet në Euro 2024 ishin ndeshjen e mia të fundit në arenën ndërkombëtare. Në futbollin zviceran do të vazhdoj deri më 30.9.2024”, ka thënë Zogaj, i cili ka falënderuar kolegët dhe komunitetin e futbollit.