Gjyqtari Genc Nuza ka bërë të ditur se ka dorëzuar zyrtarisht një kërkesë pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit – përkatësisht te Këshilli Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive, për shqyrtimin e masës ndëshkimore ndaj klubit futbollistik FC Ferizaj dhe presidentit të klubit, Lulzim Abazi.
Përmes një reagimi, Nuza theksoi se veprimet dhe deklaratat e palëve të përfshira kanë ndikuar në krijimin e një klime armiqësore dhe denigruese ndaj tij, duke cenuar integritetin personal dhe profesional, si dhe atë të familjes së tij. Ai shtoi se ky është vetëm hapi i parë ligjor që po ndërmerr për mbrojtjen e dinjitetit dhe pavarësisë së gjyqtarëve sportivë në Kosovë.
Gjithashtu, Nuza paralajmëroi se shumë shpejt pritet të ngrejë edhe padi në gjykatat kompetente lidhur me deklaratat shpifëse dhe pretendimet që, sipas tij, janë bërë publikisht ndaj tij.