Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Primoz Gliha dhe menaxheri Bajram Shala kanë folur në një konferencë për media para ndeshjeve të muajit tetor në kualifikimet për Kampionatin Evropian “Euro2024”.
Timonieri slloven theksoi se takimi ndaj Andorrës nuk do të jetë i lehtë për të përzgjedhurit e tij, për shkak se sipas tij, Andorra është kundërshtar i vështirë.
“Andorra është ekip shumë i vështirë, ata luajnë mbrojtje të ngjeshur , shumë e vështirë të shënosh gola kundër tyre, në futboll nuk dihet se cfarë ndodhë. Për mua është e rëndësishme që lojtarët nga Superliga e Kosovës të bëjnë paraqitje të mira, në aspektin individual dhe ekipor”, u deklaroi Gliha.
“Kjo është shumë e rëndësishme për të ardhmen e këtij ekipi. E kemi të qartë, kemi disa probleme në aspektin sulmues, në situatën aktuale e kemi vetëm Albion Rrahmani, është situatë konfuze duke pasë parasysh të gjitha lëndimet që kemi”, shtoi ai.
Dardanët do të ndeshen me Andorrën më 12 tetor në udhëtim, ndërkohë tri ditë më vonë në program e ka ndeshjen me Izraelin, por që kjo sfidë pritet të shtyhet për shkak të konfliktit mes Izraelit dhe militantëve të Hamasit.
Kosova është pa gjasa në Grupin I me katër pikë të grumbulluara pas gjashtë ndeshjeve./Lajmi.net/