Saturday, 24. January 2026
Sport

Go+ Peja përjashtohet nga ENBL, gjobitet me 25 mijë euro dhe rrezikon ndalim pjesëmarrjeje në të ardhmen

GS 24/01/2026 2 Min. Lesezeit

Klubi i basketbollit Go+ Peja nuk do të vazhdojë më pjesëmarrjen në European North Basketball League (ENBL) për sezonin 2025/26, pasi ka refuzuar të zhvillojë ndeshjen e radhës si vendas ndaj BK Olomoucko, e paraparë për të hënën, më 26 janar.

Vendimi vjen pas një serie incidentesh dhe shkeljesh të rregullave të garës. Peja u eliminua të enjten, më 22 janar, nga Kupa e Kosovës, pasi u mposht në çerekfinale nga Bashkimi i Prizrenit. Pas kësaj ndeshjeje, tifozët e skuadrës pejane hodhën mjete piroteknike në parket, duke rrezikuar lojtarët, ndërsa drejtuesit e klubit u akuzuan nga tifozëria.

Të premten, më 23 janar, klubi e njoftoi zyrtarisht ENBL-në për anulimin e ndeshjes si vendas ndaj Olomouckos. Kjo ishte hera e dytë që Go+ Peja nuk u paraqit në një ndeshje të kompeticionit, pasi më herët kishte humbur me rezultat zyrtar ndeshjen e rregullt ndaj të njëjtës skuadër në Prostejov të Çekisë, më 13 janar.

Sipas rregulloreve të ligës, mosparaqitja e përsëritur çon në humbje automatike të ndeshjeve dhe përjashtim nga gara. Si pasojë, është anuluar edhe përballja ndaj Newcastle Eagles, e paraparë për 11 shkurt.

Në një komunikatë zyrtare, drejtuesit e ENBL-së kanë bërë të ditur se, ndonëse praktika standarde pas dy humbjeve administrative është anulimi i të gjitha rezultateve dhe përjashtimi i skuadrës, kjo nuk ka qenë e mundur për shkak të formatit specifik të garës për sezonin 2025/26, që do të krijonte pabarazi mes grupeve.

“Për të ruajtur integritetin dhe vazhdimësinë e kompeticionit, ENBL ka vendosur:

• t’i regjistrojë humbje zyrtare Go+ Pejës për ndeshjen e anuluar ndaj BK Olomoucko,

• të anulojë ndeshjen ndaj Newcastle Eagles,

• t’i aplikojë një humbje të tretë administrative për pamundësinë e zhvillimit të ndeshjes si vendas,

• të gjobisë klubin me 25 mijë euro,

• si dhe të shqyrtojë sanksione të tjera, përfshirë edhe ndalimin e rikthimit në këtë garë në të ardhmen”, shkruan në komunikatën e ENBL.

Ky zhvillim përbën një goditje të rëndë për klubin pejane dhe basketbollin kosovar në arenën ndërkombëtare, ndërsa pritet reagimi zyrtar i drejtuesve të klubit lidhur me vendimet e fundit të ligës.

Teilen: