Shpresat e Arsenalit për të siguruar një trofe në këtë sezon janë zbehur ndjeshëm pasi është mësuar se edhe i vetmi sulmues që i kishte mbetur në dispozicion trajnerit Mikel Arteta, Kai Havertz, është dëmtuar dhe do të qëndrojë gjatë jashtë fushave të lojës. Për më tepër, mediat angleze e bëjnë të sigurt se për sulmuesin gjerman ky sezon duhet të cilësohet që tani i përfunduar.
“Daily Mail” ka bërë të ditur se lojtari është dëmtuar gjatë stërvitjeve që skuadra po bën në Dubai këto ditë, në një kamp stërvitor të organizuar nga Arteta për të shfrytëzuar maksimalisht ndalesën e kampionatit për shkak të Kupës FA. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se kthimi i Havertz para fundit të sezonit duket thuajse i pamundur pasi është dëmtim serioz dhe ky do të jetë një telash i madh për londinezët.
Ai i shtohet listës së gjatë të sulmuesve të dëmtuar pasi Saka, Zhezus dhe Martineli janë të gjithë jashtë fushave të lojës për të njëjtat arsye. Por me Havertz situata bëhet edhe më serioze, pasi ai ka qenë golashënuesi më i mirë i ekipit në këtë sezon duke shënuar 15 gola dhe kjo do t’u japë një goditje shumë të madhe ëndrrave të “topçinjve” që të luftojnë për titullin kampion me Liverpulin.
PANORAMASPORT.AL