Tuesday, 24. March 2026
Sport

Goditje e rëndë për futbollistin e Kombëtares, dëmtohet përsëri dhe mbyll sezonin

GS 23/03/2026 2 Min. Lesezeit

Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Medon Berisha, ka kaluar nga ai që mund të ishte sezoni më i mirë, në momentin më të vështirë të karrierës së tij deri tani.

Futbollisti i Kombëtares, ndërsa pritej kthimi në fushë pas një dëmtimi të gjatë që pësoi në fundin e vitit të kaluar, ka pësuar një tjetër problem dhe tashmë do të jetë i detyruar t’i nënshtrohet operacionit duke mbyllur sezonin.

“Leçe njofton se lojtari Medon Berisha pësoi një dëmtim në muskulin e djathtë të femurit të mbrapsëm gjatë seancës stërvitore individuale të së shtunës së kaluar.

Sot, lojtari iu nënshtrua një kontrolli instrumental, i cili zbuloi një këputje në tendinin e djathtë. Fatkeqësisht, ky dëmtim ndodhi në një zonë të ndryshme nga ajo e prekur nga dëmtimi i mëparshëm dhe ndodhi gjatë një faze stërvitjeje të kujdesshme ri-atletike të ndërmarrë së fundmi pas testeve të fundit të kënaqshme instrumentale.

Lojtari do t’i nënshtrohet një konsultimi te një specialist në Finlandë të mërkurën e ardhshme me profesor Lempainem për të vlerësuar mundësinë e ndërhyrjes kirurgjikale, e cila do të kryhet të enjten.

Sidoqoftë, lojtari nuk ka gjasa të kthehet gjatë sezonit aktual”, shkruhej në njoftimin e Leçes që dha lajmin e keq për futbollistin e Kombëtares.

Berisha e kishte nisur sezonin shumë mirë te Leçe, duke u kthyer në protagonistin absolut të lojës së kësaj skuadre në Serinë A me paraqitje mbresëlënëse e gola.

Por dëmtimet e njëpasnjëshme kanë mbyllur para kohe sezonin e tij duke u kthyer në një pengesë për djaloshin në momentin kur dukej se ai mund të bënte hapin cilësor në karrierë./panoramasport.al

Teilen: