Pas akordit për rinovimin e kontratës me Interin deri në vitin 2029, Lautaro Martinez ka vendosur në shënjestër disa rekorde të zikaltërve. Kapiteni ka qëndruar tek Interi pikërisht për të marrë disa kënaqësi të tjera, personale dhe për skuadrën.
Disa rekorde janë larg, të tjerë më afër. Por sigurisht që nëse qëndron deri në fundin e kontratës (2029) do të thotë se qëndron 11 vite në këtë ekip. Diçka e rrallë për një sulmues të Interit që s’humbet rast pa përmendur dashurinë për fanellën zikaltër, të cilën e ka lartësuar me trofe dhe gola që nga dita e tij e parë në Milano. GOLAT- Në këtë sezon, Lautaro u përfshi në listën e 10 golashënuesve më të mirë të historisë së klubit
. Me 27 golat në total arriti në 129 me fanellën zikaltër duke marrë vendin e 8-të dhe ka parakaluar Bobo Vierin (123) dhe Ikardin (124). Niers me 133 dhe Lorenci me 143 janë në shënjestrën e argjentinasit dhe mund t’i parakalojë në sezonin e ardhshëm. Pak më larg ndodhen të tjerët Çevenini i pesti me 158 dhe Macola me 160. Këta të dy mund të arrihen me një sezon të çmendur me 30 gola për Lautaron. Në tri vendet e para janë Meaca me 284 gola, Altobeli me 209 dhe Boninsenja me 173. Paralelisht Lautaro është duke ngjitur edhe shkallët e golashënuesve të Serisë A. Për momentin ndodhet mes 10 më të mirëve dhe ndan vendin e tetë me Vierin me 103 gola. Përpara ka Meacën, Lorencin, Niersin, Altobelin, Macolën dhe Ikardin.
NDESHJET- Në sezonin e ardhshëm, Lautaro Martinez do të arrijë 300 ndeshje me fanellën e Interit. Për momentin është 282 ndeshje dhe -1 nga Boninsenja. Sigurisht që vendi i 10-të është larg pasi mbahet nga Handanoviç dhe Kordoba me 455 prezenca. Sigurisht që bomber nga Bahia Blanka duhet të luajë pak më shumë për t’u futur në këtë listë speciale.
SEZONET RADHAZI- Vëmendje për një tjetër të dhënë. Nuk janë të shumtë sulmuesit që në historinë e skuadrës kanë nisur 7 sezone radhazi, siç do të bëjë Lautaro Martinez në gusht. Ai zbarkoi në Milano në verën e vitit 2018. Motivi? Sepse duhet të shënosh vazhdimisht për ta veshur shpesh këtë fanellë. Për të sjellë disa shembuj, Ikardi dhe Domenigini u ndalën në 5 sezone, Niers, Kruz dhe Vieri në 6. Boninsenja ka luajtur 7 sezone, ndërsa Rekoba 8. Të paarritshëm janë Altobeli dhe Lorenci me 11, ndërsa Meaca ka qëndruar 11 sezone dhe Macola 17.
REINOLD BAKALLI-PANORAMASPORT.AL