Tuesday, 3. November 2026
Sport

Grabitje në Finiq, gruas i vidhen kursimet e jetës që ruante për operacion. Policia heton ish-bashkëshortin

GS 03/11/2026 3 Min. Lesezeit

Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonën e Finiqit, ku një banesë është vjedhur, ndërsa autorët kanë arritur të marrin një shumë prej rreth 6800 eurosh dhe sende me vlerë, përfshirë edhe aparatin e kamerave të sigurisë.

Ngjarja ka ndodhur më 31 tetor, në kohën kur pronarja e shtëpisë, e moshuara Eleni Anastasi, e cila jeton e vetme, ishte larguar për vizitë te disa të afërm.

E dëmtuara ka treguar për emisionin “Në Kohë Reale” se hajdutët kanë depërtuar përmes derës kryesore, duke shkatërruar gjithashtu dyert e brendshme të banesës dhe duke lënë dhomat përmbys.

Sipas saj, shuma e grabitur përfshinte kursimet e destinuara për një operacion mjekësor në këmbë, si dhe para të dërguara nga motra e saj për çështje legalizimi të banesës.

“Unë dola në orën 18:00 këtej nga shtëpia. Vajta te një kushërirë dhe sa kam përgjitur, më hapën shtëpinë, më bënë shumë dëm. Menjëherë bërtisja, mora policinë, mora një shoqe time në Sarandë dhe ajo pastaj lajmëroi.

Erdhi policia, erdhën ata. Hajdutët më hapën të gjitha dollapët, çfarë kishin tre, katër dhoma brenda, të gjitha rrobat në shesh.

Më morën para dhe ca flori që kisha unë. Paratë i kisha brenda në dollap të kyçura me çelës dhe më prishën atë dhe më morën. Paratë i kisha që të bëja një operim në këmbë dhe të tjerat para më solli motra që të paguaja për shtëpinë, për legalizimin. Sa parkoja unë, ata ikën. Kam dhe kamera. Më morën dhe atë aparat”, tregoi e dëmtuara.

Ndërkaq, duke folur në emisionin “Në kohë reale” gazetari Vangjel Shumeli raportoi se policia ndodhet nën hetim e sipër për zbardhjen e ngjarjes.

“Për sa i përket vjedhjes së datës 31 tetor që ndodhi në zonën e Finiqit, në banesën e zonjës Eleni Anastasi. Për sa i përket shumës që është grabitur nga ana e këtyre të fundit, është konstatuar në një shifër afro 6800 euro, ku ajo sasi e konsiderueshme parash ishte enkas për të përballuar një operacion shëndetësor – siç e pranoi dhe vetë zonja e shtëpisë, zonja Anastasi,  edhe për të paguar disa llogari të familjarëve të saj”, theksoi gazetari.

Autoritetet po verifikojnë indiciet e dhëna nga vetë kryefamiljarja, e cila ka hedhur dyshime te bashkëshorti i saj, me të cilin është në proces e sipër divorci.

“Për sa i përket kësaj ngjarjeje, policia është në hetim e sipër, në procedim, për të zbardhur akoma më tej këtë ndodhi, këtë ngjarje. Dyshimet ekzistojnë nga ana e zonjës së shtëpisë dhe dyshohet për bashkëshortin e saj, me të cilin është në prag divorci, dhe policia po heton pikërisht këtë indicie të dhënë nga zonja Anastasi”, u shpreh gazetari.

Nga ana ligjore, ekspertët kujtojnë se vepra penale e vjedhjes dënohet nga 3 deri në 8 vite burg, në varësi të rrethanave rënduese, siç është kryerja në bashkëpunim apo pasojat e rënda shëndetësore dhe ekonomike për viktimën.

/rtsh.al/

Teilen: