Granit Xhaka ka reaguar pas vendimit të Prokurorisë në Zvicër lidhur me çështjen për të cilën ishte marrë në pyetje. Kapiteni i Kombëtares së Zvicrës konfirmoi se është dënuar me urdhër penal.
Sipas deklaratës së publikuar nga vetë Xhaka, ai është shpallur përgjegjës për veprën penale të përfitimit të një vërtetimi të rremë, shkruan Indeksonline
Dënimi është caktuar me 50 ditë-gjobë, nga 3,000 franga zvicerane për ditë, pra në total 150 mijë franga, por me kusht dhe periudhë prove prej dy vitesh. Kjo do të thotë se dënimi nuk ekzekutohet, për sa kohë që gjatë periudhës së provës Xhaka nuk kryen një tjetër vepër penale.
Futbollisti shqiptar bëri të ditur se ka dhënë dëshminë e plotë para Prokurorisë dhe se tashmë është marrë vendimi përfundimtar. Ai gjithashtu konfirmoi se shpenzimet e procedurës janë paguar.
“E pranoj vendimin dhe marr përgjegjësinë. Qëndroj pas asaj që kam thënë disa javë më parë”, deklaroi Xhaka.
Në fund, mesfushori falënderoi të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe.
“Faleminderit për mesazhet e shumta mbështetëse që kam marrë gjatë javëve të fundit. Për mua kanë shumë rëndësi”, përfundoi Xhaka.