Sulmuesi i Olympique Marseille, Mason Greenwood, po hyn në qendër të merkatos verore, teksa interesimi i gjigantëve italianë Juventus është bërë gjithnjë e më serioz.
24-vjeçari po zhvillon një sezon shumë të mirë në Francë, duke u shndërruar në një nga pikat kryesore të skuadrës. Në 38 ndeshje në të gjitha garat, ai ka realizuar 25 gola dhe ka shtuar edhe 8 asistime, duke konfirmuar formën e tij të lartë dhe ndikimin vendimtar në sulm.
Këto paraqitje kanë tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha evropiane, por Juventusi shihet aktualisht si destinacioni më i mundshëm për një transferim të mundshëm.
Sipas raportimeve të “Gazzetta dello Sport”, e ardhmja e Greenwood mund të varet edhe nga situata sportive e Marseille. Nëse klubi francez nuk arrin kualifikimin në UEFA Champions League, atëherë mund të detyrohet të shqyrtojë shitjen e lojtarit për arsye financiare. Aktualisht, Marseille ndodhet në vendin e tretë në Ligue 1, por gara për zonën e Champions League është shumë e ngushtë, me disa ekipe vetëm pak pikë prapa.
Nga ana financiare, klubi francez pritet të kërkojë të paktën 45 milionë euro për kartonin e sulmuesit. Një pjesë e kësaj shume do të përfitohet edhe nga Manchester United, për shkak të një klauzole të përfshirë në marrëveshjen e transferimit të tij në vitin 2024.
Interesimi i Juventusit për Greenwood nuk është i ri, pasi klubi italian kishte tentuar ta siguronte dy vite më parë, por atëherë lojtari kishte zgjedhur projektin e Marseille. Tani, me formën e tij në rritje, një rikthim i kësaj piste duket më i mundshëm se kurrë.