Xhek Grilish po synon të arrijë nivele të ngjashme të performancës në muajt e ardhshëm, si ajo që tregoi kundër Barcelonës në testin e fundit të Mançester Sitit.
Sulmuesi anësor shënoi një gol të shkëlqyer kundër skuadrës spanjolle në miqësoren e tretë parasezonale të turneut në SHBA, por lojtarët e Pep Guardiolës u mposhtën në penallti pas barazimit 2-2. Anglezi mori topin nga Mateo Kovaçiç dhe gjeti trekëndëshin nga një kënd i ngushtë, duke barazuar rezultatin pas një ore lojë. Dhe duke marrë shiritin e kapitenit në pjesën e dytë, futbollisti më i shtrenjtë i historisë së “Qytetarëve” ishte një nga lojtarët më të spikatur të Sitit në Orlando dhe shpreson se kjo është një shenjë e gjërave që do të vijnë në sezonin që nis.
“Jam i kënaqur me mënyrën se si luajta”, tha anglezi, i cili kishte marrë edhe elozhet e trajnerit Guardiola për agresivitetin e treguar në fushë: “Unë thashë në konferencën për shtyp një ditë më parë se dua të vij këtu dhe të tregoj se jam kthyer në formë dhe jam kthyer duke luajtur me besimin që e di që mund të kem. Shpresojmë se mund të kemi më shumë shfaqje të tilla.
Natyrisht që dua të shënoj më shumë gola, të marr më shumë asiste dhe të ndihmoj skuadrën si çdokush. Unë do të marr përsipër atë që thotë menaxheri dhe shpresoj se mund ta bëj këtë duke ecur përpara”.
PANAORAMASPORT.AL