Xhek Grilish ka reaguar pas kritikave për festën e tij me Mançester Sitin, të cilin ai e përshkroi si fundjavën më të bukur të jetës së tij.
Fituesit e tripletës shijuan një festë 4-ditore mes alkoolit në Stamboll, Mançester dhe Ibiza pasi siguruan edhe Championsin e parë në histori. Sulmuesi i Guardiolës ishte shpirti i festës, ndërsa u fotografua rregullisht me një pije në dorë. Pas kësaj feste, ish-kapiteni i Aston Vilës u aktivizua vetëm 32 minuta në dy kualifikueset e Anglisë në “Euro 2024” kundër Maltës dhe Maqedonisë së Veriut.
Pavarësisht nga minutazhi i tij i paktë në skuadrën e Sauthgejtit, transferimi më i shtrenjtë i historisë së Sitit, pranoi se ai nuk është penduar për festën e tij gjithnjë në shoqërinë e alkoolit. Gjatë një interviste për “talkSPORT”, 27-vjeçari u pyet nëse e kishin shqetësuar kritikat për festimet, ndërsa ai tha: “Në të vërtetë jo. Unë kam bërë diçka që ndodh një herë në jetë. Herën e fundit që ndodhi… nuk e di kur e bëri Junajtidi, por nuk ka ndodhur për shumë vite. Kështu që përse të mos e festonim kështu? Të gjithë ishin me mua. Unë nuk isha vetëm, po dilja me miqtë e mi. Isha me të gjithë skuadrën. Ne u kënaqëm të shtunën, të dielën, të hënën.
Kam kaluar fundjavën më të bukur të jetës sime. Isha ndoshta duke përjetuar emocionet më të mëdha që kam kaluar ndonjëherë. Trajneri nuk më tha, por e dija që nuk do të luaja të premten”. Grilish qëndroi në stol gjatë gjithë ndeshjes kundër Maltës, përpara se të bënte një paraqitje të shkurtër kundër Maqedonisë së Veriut të hënën. Ndonëse nuk arriti të shënonte gjatë fitores 7-0, ylli i Siti këmbëngul se ai ndihet mirë pavarësisht festës së gjatë.
“Fundjava e kaluar ishte fundjava më e bukur që kam pasur ndonjëherë. Unë po përpiqem ende ta kuptoj atë. Kam qenë në një nivel shumë të lartë javën e fundit”, tha ai. “Ndihem mirë. U stërvita të mërkurën dhe të enjten. Çfarëdo që të bëni në jetë, gjithmonë do të ketë njerëz që do t’iu kritikojnë. Është pjesë e jetës”.
PANORAMASPORT.AL