Marash Kumbulla ka hedhur pas krahëve dëmtimin që e mbajti për shumë muaj jashtë fushave.
Mbrojtësi i kombëtares, tashmë i huazuar te Sassuolo ka nisur të marrë minuta si dhe është kthyer pjesë e kuqezinjve së Sylvinhos. Agjenti i mbrojtësit shqiptar, Gianni Vitali, theksoi se grumbullimi me kombëtaren në këtë moment ishte shumë i rëndësishëm për Kumbullën sidomos në aspektin emocional, ndërsa shtoi se synimi është që “klienti” i tij të rikthehet të luajë me Romën.
“Grumbullimi me kombëtaren e ndihmon shumë, sidomos në aspektin emocional. Kaloi një dëmtim shumë të rëndë, të komplikuar dhe të gjatë. Rikthimi në kombëtare në vigjilje të Europianit do të thotë shumë për të, e ka dëshiruar shumë këtë ditë. Tani ka përpara ndeshjet me Kilin dhe Suedinë dhe do të rikthehet në fushë me kombëtaren.
Rikthimi në formë para Europianit ishte një nga objektivat e tij më kryesorë, nuk ka event më të mirë për një futbollist se sa një turne i tillë. Megjithatë, t’i marrim gjërat me radhë, me rëndësi është rikthimi në kombëtare dhe puna e vazhdueshme me Sassuolon. Kjo skuadër ka nevojë për rezultate dhe ka nevojë për lojtarë me kualitetin e Kumbullës. Këto janë për momentin objektivat kryesorë të Kumbullës.
Më pas të shohim çfarë do të ndodhë me Europianin. Mbi të gjitha Shqipëria debuton kundër Italisë dhe pritet shumë. Kumbulla priti gjatë për rikthimin në fushë. Ishte emocionues rikthimi i tij, kur qëndron për një kohë të gjatë jashtë fushave, gjithçka të duket ndryshe. E mbaj mend, edhe gjëra më elementare në stërvitje i përjetonte me shumë emocion.
Roma? Ne me Romën morëm një vendim për të mirën e lojtarit që të kishte më shumë minuta në dipozicion. Objektivi është të rikthehet te Roma në verë, ka një kontratë deri në vitin 2027, më pas të shohim”, u shpreh Vitali.