Manchester City është kualifikuar në finalen e madhe të Ligës së Kampionëve për edicionin 2022/2023.
“Qytetarët” kanë shënuar fitore të thellë 4:0 në ndeshjen e dytë kundër Real Madridit në Etihad Stadium dhe me rezultat të përgjithshëm 5:1 kanë siguaruar biletën për finale.
Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola pas ndeshjes u shpreh i lumtur me kalimin në finale duke thënë se skuadra e tij bëri ndeshje spektakolare.
“Ne kemi luajtur një vit me dhimbje në stomak për shkak të asaj që ndodhi vitin e kaluar. Dhe sot nxorëm gjithçka jashtë, sjellja ishte fantastike dhe ndeshja ishte spektakolare. Jemi shumë të lumtur që jemi në finale”, tha Guardiola pas ndeshjes.
“Këtë herë vendosa një lojtar pak më thellë në mesfushë në krahasim me ndeshjen e parë dhe kishim më shumë rrjedhshmëri në sulm. Kemi pasur një sjellje perfekte gjatë një viti me kaq shumë dhimbje. Siç tha Kroos, nëse ne do të kishim fituar 6, 7 apo 8 në ndeshjen e parë vitin e kaluar, asgjë nuk do të kishte ndodhur. Por ishte një ndeshje me diferencë të ngushë dhe “Bernabeu” mbetet “Bernabeu”.
Guardiola foli edhe për finalen kundër Interit.
“Një ekip italian mbetet një ekip italian. Do të duhet të luftojmë shumë, Por kemi kohë, tani të bëhemi kampionë të Anglisë. Por për momentin ja ku jemi, na ka buzëqeshur fati këtë vit”, deklaroi Guardiola.
Manchester City dhe Interi do të ballafaqohen në finalen e madhe të Ligës së Kampionëve që do të zhvillohet në Stamboll më 10 qershor./Lajmi.net/