Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka komentuar spekulimet për një largim të mundshëm të mesfushorit Rodri gjatë merkatos verore, duke theksuar se e ardhmja e lojtarit varet nga vetë dëshira e tij.
Tekniku spanjoll bëri të qartë se nuk do ta pengonte asnjë futbollist të largohej nëse nuk ndihet i kënaqur në klub. “Nëse një lojtar nuk është i lumtur, ai duhet të largohet. Në atë rast, duhet të flasë me drejtuesit dhe të shqyrtojë ofertat që përputhen me vlerën e tij,” u shpreh Guardiola, transmeton lajmi.net.
Ai shtoi se beson që Rodri është i kënaqur te City, por theksoi se çdo vendim përfundimtar i takon lojtarit dhe klubit.
Duke folur për interesimin e mundshëm nga Real Madridi, Guardiola e pranoi se një ofertë nga gjiganti spanjoll është e vështirë të refuzohet. “Nuk besoj se ka lojtar që nuk do ta konsideronte mundësinë për të luajtur për Real Madridin. Rodri është spanjoll dhe zgjedhja është e tij,” deklaroi ai.
Megjithatë, trajneri i Cityt nënvizoi se dëshira e tij mbetet që mesfushori të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës për një kohë sa më të gjatë, duke e cilësuar atë si një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit./lajmi.net/