Trajneri i Mançester Sitit, Pep Guardiola, thotë se Julian Alvarez kërkoi të largohej nga klubi, sepse dëshiron një sfidë të re, e cila do të jetë tek Atletiko e Madridit. Sulmuesi argjentinas, 24 vjeç, do t’i bashkohet skuadrës së Diego Simeones në ditët në vijim, pasi Siti pranoi një ofertë prej 81.5 milionë paundësh.
ALVAREZ – Guardiola kishte shprehur dëshirën për ta mbajtur Alvarezin, por çmimi që ofronin spanjollët ishte shumë herë më i lartë se 14 milionë paundët që Siti i pagoi River Plejtit për të në 2022. Trajneri spanjoll nuk është i sigurt nëse Siti do ta zëvendësojë Alvarezin këtë merkato, por thotë se ai largohet me urimet më të mira të klubit. “Ishte një gëzim të punoja me të”, tha Guardiola. “Kam mësuar shumë prej tij dhe shpresoj se ai mund të gjejë atë që kërkonte”. I pyetur për arsyet e largimit të Alvarezit, Guardiola shtoi:
“Ai beson se periudha e tij këtu duhet të përfundojë, në mënyrë që të dy klubet të arrijnë në një marrëveshje. Ai është tepër i dashur nga ekipi për sjelljen e tij, por siç e kam thënë shumë herë për shumë lojtarë, ai dëshiron të largohet dhe të ketë një sfidë të re”.
ANGLIA – Duke folur para ndeshjes së skuadrës së tij në Superkupën e Anglisë kundër Mançester Junajtid në “Wembley” sot, Guardiola u pyet për mundësinë e zëvendësimit të Garet Sauthgejtit si trajner i Anglisë. 53-vjeçari ka qenë i lidhur me këtë post që kur Sauthgejt u largua pas Europianit. Kontrata e tij me Sitin skadon në vitin 2025 dhe ai ka shprehur dëshirën e tij për të menaxhuar një ekip kombëtar. “Unë duhet të vendos se çfarë dua të bëj me jetën time”, tha Guardiola.
“Nëse dua të vazhdoj këtu, të bëj një pushim, të stërvis ekipet kombëtare ose jo. Tani për tani jam këtu dhe me të nisur garat energjia ime rritet përsëri, kështu që jam plotësisht i emocionuar për sezonin, sepse shoh gjëra që më pëlqejnë këtu”.
KALENDARI – Siti do të marrë pjesë në inaugurimin e Kupës së Botës për Klube verën e ardhshme pas përfundimit të sezonit 2024-25 të Premier Ligës. Kjo do të thotë, se duke filluar nga ndeshja e sotme në “Community Shield”, klubi do të nisë një sezon 48-javor. Guardiola, i cili konfirmoi se Kajl Uoker, Xhons Stons, Fill Foden dhe Rodri do të humbasin të gjithë ndeshjen e sotme, pas pjesëmarrjes së tyre në finalen e “Euro 2024”, thotë se klubi nuk mund të bëjë asgjë për bllokimin e ndeshjeve.
“Ne përpiqemi t’u japim atyre pushimin më të mirë të mundshëm, sa më shumë që të jetë e mundur”, tha ai. “Ne do të donim t’u jepnim më shumë kohë. Do bëjmë rrotacion të lojtarëve sa më shumë që të jetë e mundur, ndeshje pas ndeshje dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë”.
TROFEU I PARË – Trajneri i Sitit shtoi se lojtarët e tij do të kërkojnë të fitojnë trofeun e sotëm. “Është e rëndësishme, është një finale kundër Junajtid, por pjesë e saj është të përpiqemi të përsosim veten, hap pas hapi pas një pushimi për shumicën e lojtarëve”, shtoi ai.
PANORAMASPORT.AL