Guardiola: Na mungon qëndrueshmëria por asgjë s’ka përfunduar, janë ende edhe 14 ndeshje
Një fund zhgënjyes, por Manchester City nuk ka ndërmend të dorëzohet. Trajneri Pep Guardiola ka analizuar barazimin 2-2 me Tottenham, një ndeshje ku “citizens” udhëhiqnin me dy gola para se vendasit të rikuperonin disavantazhin.
“Ishte një ndeshje e mirë. Pasi pësuam golin e parë, vuajtëm por u rikthyem në rrugën e duhur drejt fundit. Në përgjithësi, performanca ishte pozitive, por për fat të keq, nuk arritëm të fitonim. Plani ynë ishte të luanim me topin në tokë, të shënonim dhe të mos pësonim”, tha Guardiola.
“Pas golit të tyre, ata morën kontrollin dhe ne nuk arritëm ta rimerrnim menjëherë, por ky nuk ishte problemi. Po luajmë në një nivel të lartë, thjesht duhet të gjejmë qëndrueshmërinë për të fituar ndeshje“, shtoi trajneri i City.
Më tej, trajneri spanjoll tha: “Në pjesën e parë, luajtëm mirë, me mentalitetin e duhur. Në të dytën, megjithatë, ata dominuan. Të gjithë ishin dukshëm të frustruar, por duhet të shohim përpara”.
“Kanë mbetur 14 ndeshje, jemi gjashtë pikë prapa, asgjë nuk ka mbaruar. Gjithçka mund të ndryshojë; ata mund të humbasin disa ndeshje dhe ne mund të fitojmë të tjera. Duhet të vazhdojmë të luftojmë“, tha Guardiola.