Pep Guardiola ka lavdëruar mesfush orin e dëmtuar Rodri për rolin e tij si trajner gjatë fazës së fundit të sezonit për Mançester Sitin, teksa ata përpiqen të shpëtojnë një sezon katastrofik.Spanjolli u përjashtua për pjesën e mbetur të sezonit kur pësoi një dëmtim të ligamentit të gjurit kundër Arsenalit në shtator, por ai ka përparuar në rikuperim kohët e fundit dhe u pa në dhomën e zhveshjes para fitores së rëndësishme 2-1 ndaj Aston Vilës të martën, duke dhënë këshilla për shokët e tij.
“Më pëlqen kjo gjë. Të gjithë lojtarët që nuk mund të luajnë dhe janë të dëmtuar, unë i lejoj të bëjnë trajnerin”, tha Guardiola në konferencë.
“Rolin e mesfushorit defensiv Rodri e njeh për mrekulli dhe mund t’i ndihmojë djemtë aty. Kjo është mënyra se si ndërtohen ekipet, me lidhjet që krijohen. Ata që nuk mund të luajnë, ndihmojnë ata që po luajnë. Të gjithë duan ta shijojnë sezonin e ardhshëm në Evropë. Nëse besojnë se gjithçka varet nga 11 lojtarët që janë në fushë, e kanë gabim”.
Rodri, i cili u bë lojtari i parë i Sitit që fitoi “Topin e Artë” vitin e kaluar, ka shprehur dëshirën për t’u kthyer në fushë para përfundimit të sezonit dhe Guardiola pranoi se kjo është ende e mundur, por theksoi se ai do të marrë parasysh atë që do thotë stafi mjekësor.
“Nuk e di. Ai po stërvitet me ne në çdo seancë dhe është duke bërë shumë mirë. Rodri dëshiron të rikthehet para fundit të sezonit, por mjekët duhet të më thonë mua: ‘Pep, ke dritën jeshile për t’i dhënë disa minuta’. Do të mbështetem te mjekët në këtë rast”.
Siti përballet me Notingem Forestin në gjysmëfinalen e Kupës FA në “Uembli” të dielën dhe vijnë për të shtatën herë radhazi në këtë fazë të kompeticionit më të vjetër të futbollit në botë.
Por Pep thotë se triumfi në Kupën FA dhe dështimi për t’u kualifikuar në Champions, nuk mjafton për ta quajtur një sezon të suksesshëm: “Sezoni nuk ka qenë i mirë, pavarësisht nëse arrijmë në finalen e Kupës FA apo kualifikohemi në Champions. Por sigurisht që do të shmangnim një dëm më të madh për klubin. Për mua, përcaktuese për suksesin e një sezoni është gjithmonë Premier Liga”.
ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL