Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka shpjeguar se pse trajneri i Brightonit, Roberto De Zerbi, është një nga trajnerët më me ndikim në 20 vitet e fundit, pasi udhëhoqi ‘Pulëbardhat’ drejt garave evropiane për herë të parë në histori të klubit.
Kampioni i Premierligës, Manchester City, do të takohet me Brightonin të mërkurën dhe Guardiola ka thurur lavde për homologun e tij, që po bën punë fantastike.
Ish-trajneri i Barcelonës dhe Bayern Munich ka thënë se kishte pritur se emërimi i De Zerbit te Brightoni do të ishte shumë i mirë më kohën, por nuk e kishte menduar se do të arrinte kaq shumë në një kohë të shkurtër.
Duke folur para ndeshjes në Amex Stadium, Guardiola tha: “Urime për Brightonin, për këtë arritje të paimagjinueshme që çoi skuadrën drejt garave evropiane. Roberto De Zerbi është një nga trajnerët më me ndikim në 20 vitet e fundit. Nuk ka një skuadër tjetër që luajnë në mënyrën si ata e zhvillojnë futbollin, është unike. Kisha ndjenjën që kur arriti ai se do të kishte ndikim të madh në Premierligë, por nuk e prisja që ai ta bëjë këtë në kohë kaq të shkurtër.”
Guardiola vazhdoi duke thënë se mënyra se si luajnë Brightoni nën urdhrat e De Zerbit ka qenë inspirim për të, që kur italiani arriti në Mbretërinë e Bashkuar.
“Ata krijojnë 20 deri 25 shanse për ndeshje. E marrin topin nën kontroll në një mënyrë që nuk është parë që një kohë të gjatë. Secili lojtarë është i përfshirë, me portierin që luan edhe si mesfushor. Ata meritojnë çdo kompliment dhe sukses që kanë arritur. Është një nga ekipet që tentoj të mësoj nga ta, janë unikë.”