Në prag të ndeshjes së javës së 27-të të kampionatit anglez, trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, shmangu pyetjet për garën e titullit, sidomos pas hapit fals të Arsenalit në mesjavë. Katalanasi theksoi vazhdimisht të njëjtin mesazh; përqendrim maksimal vetëm te ndeshja e radhës.
“Kanë mbetur ende 12 ndeshje, janë shumë. E vetmja gjë që ka rëndësi tani është Newcastle”, – deklaroi ai, duke shmangur çdo parashikim për duelimin në krye. Guardiola pranoi se do të ketë kohë për të menduar për finalen e Kupës së Ligës kundër Arsenalit, por vetëm në momentin e duhur. Fillimisht vijnë Newcastle dhe më pas Leeds, një plan i qartë pa shpërqendrime.
I pyetur nëse City ka më shumë shanse për titull krahasuar me periudhën e Krishtlindjeve, ai u tregua i kujdesshëm: “Sinqerisht nuk e di. Nuk e di çfarë do të ndodhë në 12 ndeshjet e ardhshme”.
Për diferencën me londinezët, Guardiola kujtoi: “Arsenali ishte +9 pikë, me një ndeshje më shumë. Kur të gjithë të kenë luajtur njësoj, do ta shohim diferencën reale. Deri në fund do të ndodhin ende shumë gjëra”.