Një tjetër trofe në karrierë, i 36-ti, ndërsa barazoi edhe Karlo Ançelotin, i cili përpara ditës së djeshme ishte i vetmi trajner që e kishte fituar Superkupën e Europës plot katër herë. Por trajneri i Mançester Sitit, Pep Guardiola, vendosi një rekord mbrëmë në Athinë.
“Sevilja është një ekip shumë i mirë, në pjesën e parë na xhiruan shumë. Kemi ardhur me vonesë me qendërmbrojtësit dhe kur ata hodhën topin në zonë, En-Nesiri ishte i pandalshëm. Më e keqja ka qenë dhjetë minutat e para të pjesës së dytë që ata mund të na kishin ndëshkuar me golin e dytë. Më pas ishim më mirë në zotërimin e topit, hodhëm më shumë krosime në zonë dhe kishim më shumë shanse për ta fituar ndeshjen. E bëmë me penallti, por i tillë është futbolli. Një javë më parë humbëm kundër Arsenalit finalen e Superkupës së Anglisë dhe tani fituam atë të Europës”, tha trajneri katalanas.
I pyetur se çfarë nuk shkoi në lojën e skuadrës së tij, ai tha: “Koha e përgatitjes është ajo që është. Nuk jemi stërvitur shumë, por baza e skuadrës është. Përveç dëmeve që na bëri Sevilja, në përgjithësi nuk kemi qenë keq”. Ai tregoi edhe bisedën e tij me kapitenin Uoker, me të cilin kishte një sqarim për mënyrën sesi ekzekutoi penalltinë dhe Bono për pak sa e ndali. “Çfarë i thashë? Ai nuk është mësuar, penalltia është çështje psikologjike, duhet ta gjuash i bindur dhe ai shkoi pak i lëkundur, por e shënoi. Jemi shumë të lumtur që e kemi këtë trofe. Ederson na shpëtoi”.
PANORAMASPORT.AL