Kombëtarja e Gjermanisë ia doli me sukses të “shijojë” fitoren me trajnerin e ri Julian Nagelsman, teksa mposhti me përmbysje në miqësore 3-1 SHBA-në. 36-vjeçari ka dhënë intervistë të gjatë në kanalin e Federatës Gjermane të Futbollit pas debutimit, teksa është ndalur nga “profeti i përzgjedhur” prej tij në rrugëtimin drejt “Euro 2024”.
A besoni se Musiala do të ketë peshë të rëndësishme në kombëtare?
E them me bindje se Musiala do të luajë rol vërtet të madh në Kampionatin Europian në planet e mia. Kam pasur fatin të njoh dhe të punoj me të që prej bashkëpunimit në Mynih. Ndërthurja mes vetëbesimit dhe përulësisë e ka ngritur në këtë nivel, por nëse vazhdon të punojë me ritëm të njëjtë, ai mund të jetë shkatërrues për çdo rival.
Çfarë ju pëlqeu më së tepërmi në fitoren karshi SHBA-së?
Padyshim, durimi dhe përqendrimi në lojë. Në përgjithësi nuk na mungoi guximi dhe në pjesën e dytë sollëm posedim topi dhe kundërsulme të rrezikshme. Pësuam gol të parët, por ama e ruajtëm ftohtësinë dhe barazuam brenda 45 minutave të para. Përmirësimi do të mbetet proces në evoluimi te grupi ynë. Presingu ishte mirë në përgjithësi, ndonëse mund të shtyhej edhe më lart. Ende grupi nuk është aty ku unë dëshiroj, megjithatë e rëndësishme është të punojmë si një trup i vetëm.
Sa shanse ka Paskal Gros të mbajë vendin e titullarit përpara Kimishit?
Të gjithë e kanë shansin, ama përzgjedhja e formacionit bazë vjen si rezultat i performancës. Gros i zbatoi me përpikmëri detyrat e dhëna. Ai trajnohet nga një trajner i zoti në Brajton si De Zerbi dhe jep kontribut të çmuar. Shumë i zgjuar në hapësira të ngushta, presing dhe stabilitetin në riorganizimin e ekipit. Zjarri që ai djalosh prezantoi krijon konkurrencë në kontingjent.
Mendoni se Gyndoan i ka të gjitha kreditet për lider të skuadrës?
Ilkai Gyndoanin e vlerësoj si lojtar inteligjent, ndaj SHBAsë ishte i jashtëzakonshëm. Vizioni i tij për të kanalizuar lojën dhe lexuar manovrat kundërshtare është i lartë. Ai drejton në fushën e blertë si lider dhe kjo vlen shumë. Ka vite që inkuadrohet në nivele të larta me Mançester Sitin, tashmë po e dëshmon edhe te Barcelona. Thjesht duhet t’i japim më shumë besim.
A keni një ide të qartë për “9” në ekip?
Fylkrug bëri mirë, edhe pse për aq minuta paraqiti disa gabime. Më pas gjeti ritmin e duhur. Në planin taktik, Niklas kishte si detyrë jo vetëm pozitën e “pykës”, njëkohësisht edhe kthimin deri në mesfushë. Ndërsa Myler u aktivizua në distancën e 10 minutave. Sigurisht do të ishte më mirë nëse opsionet do të ishin në numër të konsiderueshëm, ama duhet ta pranoj se faza ofensive, si në krah, ashtu edhe qendër, gëzon futbollistët me potencial finalizues për t’u vlerësuar.
Ndeshja e radhës, çfarë planifikon Nagelsmani ndaj Meksikës?
Do të bëjmë disa ndryshime karshi rivalit të ardhshëm. Dua t’i shoh të gjithë lojtarët në lojë, jo vetëm në stërvitje, me qëllim krijimin e një ideje sa më të qartë. Në testet e nëntorit ekipi do të jetë më i profilizuar rreth emrave kur i referohemi rotacionit.
Përgatiti: SAIMIR MBËRSI – PANORAMASPORT.AL