Victor Font luan “kartën” e tij të fortë në garën për presidencën e Barcelonës me një blitz sekret në Madrid, me qëllimin për të blerë Erling Haaland. Norvegjezi konsiderohet si pasardhësi i denjë i Robert Levandovskit për sezonin e ardhshëm.
Sipas “Sport”, njerëzit pranë Font, mes të cilëve drejtori i ardhshëm sportiv Xavier Aguilar, kanë takuar në ‘Hotel Four Seasons’ administratorin e Manchester City, Ferran Soriano, dhe drejtuesin Hugo Viana. Ata kanë diskutuar për transferimin e norvegjezit, edhe pse ai ka një kontratë me klubin anglez deri në vitin 2034.
Me këtë lëvizje, kandidati Font kërkon të spostojë ekuilibrat elektoralë kundër rivalit Joan Laporta, presidentit aktual të katalanasve. Stafi i kandidatit ka deklaruar hapur: “Drejtuesit sportivë janë mjaft aktivë. Po punojmë për t’i ofruar gjëra të rëndësishme trajnerit Hansi Flick”.
Mbetet dyshimi, nëse janë bisedime të vërteta merkatoje, apo një strategji gjeniale propagandistike, por takimi tregon vullnetin se te Barcelona duan të dominojnë futbollin botëror me një investim faraonik. Katalanasit duket se duan të përfitojnë nga zërat për një largim të parakohshëm të Haaland nga Premier League.