Florent Hadërgjonaj të dielën ishte pjesë e emisionit “Koha Shtesë”. Hadërgjonaj në afatin kalimtar veror të vitit 2023 kaloi tek Alanyaspor në Turqi dhe ka ndihmuar skuadrën gjatë këtij edicioni për qëllimet që ka.
Ai foli për periudhën e tij tek Alanyaspor, qëllimet e skuadrës dhe ato personale, qëllimet e përfaqësuses së Kosovës dhe për trajnerin, Franco Foda.
Urime për golin si ndiheni te skuadra juaj e re?
Shumë faleminderit për urimin e vlerësoj shumë. Gjëja kryesore ishte të fitonim si skuadër sidomos pasi nuk fituam ndeshjen e kaluar përballë Galatasaray.
Si ka qenë për ju dhe skuadrën ky edicion?
“Personalisht nuk ka qenë një edicion i lehtë, kisha shpresa që të luaja më shumë në fillim, por pasi ndryshuam trajnerin, kjo gjë më dha besim dhe kurajo dhe kemi pasur një periudhë pozitive dhe kërkojmë që të vazhdojmë në këtë mënyrë.”
2 gola dhe 2 asistime për ju gjatë këtij edicioni, sa jeni adaptuar tek Alanyaspor?
“Sigurisht se statistikat individuale janë të rëndësishme, por unë shpresoj që të luaj në një nivel më të lartë dhe trajneri më ka ndihmuar shumë që të adaptohem.”
Përse zgjodhët të kalonit tek kjo skuadër?
“Kalova tre vite shumë të mira në Kasimpasa, por ata nuk donin që të vazhdonin kontratën time, nuk isha shumë i kënaqur me mënyrën se si klubi e trajtoi këtë çështje sidomos pas tre viteve që i dhurova. Për mua idetë e Alanyaspor ishin tërheqëse dhe kjo bëri që të kaloja tek skuadra.”
Çfarë mendoni për trajnerin e përfaqësueses së Kosovës, Franco Foda?
“Çdo trajner i ri ka idetë e tij, ne ishim me fat pasi kishim ndeshje miqësore për t’u bërë gati, unë e njoh atë vetëm nga emri. Prisja të luaja të paktën një nga dy ndeshjet e fundit të Kosovës, por sigurisht duhet kohë dhe ai vendosë se kush luan.”
Çfarë qëllime keni për përfundimin e edicionit?
Kjo lojë kundër Konyaspor dhe Sokol Cikalleshit ishte e rëndësishme për ta dhe ne, ne kishim vështirësi gjatë 4 muajve të parë të sezonit, por tani shpresojmë dhe ëndërrojmë të jemi sa më lart. Qëllimi ynë është që të marrim pjesë në Conference League, megjithatë është ende herët pasi ka shumë skuadra pranë nesh.
A pajtoheni me kolegun e përfaqësuses së Kosovës Vedat Muriqi për atë që ka thënë për Franco Foda dhe si e gjykoni ju atë?
Trajneri ka eksperiencë në Gjermani, pajtohem me Vedat Muriqin se sa i përket anës taktike është trajneri më i mirë që kemi pasur deri më tani. Ne kemi pritshmëri të mëdha dhe kjo gjë fillon nga lojtarët, ne ëndërrojmë të luajmë në një kampionat europian apo kampionat botëror dhe shpresojmë që ta bëjmë këtë gjë të mundur me trajnerin e ri.