Nga korriku deri në tetor, emri i Albian Hajdarit ishte temë e diskutimit nga të gjithë, sidomos pas transferimit nga Lugano te Hoffenheimi dhe mbi të gjitha vendimit që të luajë për Kosovën e jo për Zvicrën.
Në një intervistë të gjatë dhënë për “Corriere del Ticino” ndër të tjera, Hajdari ka zbuluar se çka e shtyu ta zgjidhte Kosovën para Zvicrës.
Qendërmbrojtësi 22-vjeçar debutoi muajin e kaluar me fanellën e Kosovës. Ai luajti nga 90 minuta në barazimin pa gola ndaj Sllovenisë dhe fitoren kundër Suedisë 1:0.
U vlerësua prej më të mirëve në fushë.
“Federata e Futbollit e Kosovës kishte shprehur interesimin e saj për një vit e gjysmë, një periudhë gjatë së cilës unë debutova me Zvicrën. Dhe, po, menaxhimi i të gjitha situatave nuk ishte e lehtë. Unë jam dhe ndihem kosovar. Pata biseda të shumta si me Murat Yakinin ashtu edhe me trajnerin e Kosovës Franco Foda. Dhe ndjenja që përjetova gjatë këtyre diskutimeve, së bashku me ato më personale, më shtyu mua dhe rrethin tim të zgjidhnim Kosovën”, ka thënë Hajdari.
Ai ka thënë se ëndrra e tij me Kosovën është kualifikimi në Botëror apo Evropian. Insiston se ka gjasat e saj për t’u kualifikuar në një turne të madh për herë të parë.
Kosova është në garë për të siguruar kualifikimin në Kupën e Botës që vitin e ardhshëm mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Kosova është e dyta në grupin B me shtatë pikë. Në vendin e parë është Zvicra me dhjetë pikë, kurse Sllovenia në pozitën e tretë me tri pikë. Suedia është e fundit me një pikë.
Kosova këtë muaj i zhvillon dy ndeshjet vendimtare. Më 15 nëntor luan kundër Sllovenisë në Lubjanë, kurse më 18 nëntor e pret Zvicrën në Prishtinë.
“Kosova e vogël mund të bëjë histori duke u kualifikuar për një turne të madh për herë të parë. Mundësia është aty, duhet shfrytëzuar, edhe nëse kjo do të thotë që Zvicra të dështojë kundër Suedisë. Ne jemi të vetëdijshëm për këtë, ashtu siç e dimë se duhet të mbledhim sa më shumë pikë të jetë e mundur në Lubjanë dhe në Prishtinë kundër Zvicrës. Përjetimi i kësaj aventure me lojtarë dhe ish-shokë skuadre si Kreshnik Hajrizin dhe Amir Shaipin natyrisht e bën gjithçka më të veçantë. Edhe për ta, të cilët ende luajnë në një ligë të nivelit si Superliga, rreziqet janë të mëdha”, ka theksuar Hajdari.
Ai ka besim se Shaipi do të jetë sërish i rëndësishëm për Luganon. Hajdari ka luajtur më herët me Shaipin te Lugano para se t’i bashkohej në verë Hoffenheimit.
“Është edhe më e vështirë për një portier të përballojë dinamika të tilla. Amiri e nisi sezonin si numri një dhe papritmas e gjeti veten në stol. Patëm mundësinë të flisnim për këtë gjatë grumbullimit të fundit dhe duke e njohur karakterin e tij, besoj se ajo që ndodhi me Cornaredon mund ta bëjë atë edhe më të fortë. Mund të mësosh vetëm nga situata si ato që kaloi ai, duke reaguar dhe duke demonstruar – me vlerat dhe cilësitë e tua – se mund të kthehesh të jesh portieri titullar i Luganos. Jam i bindur se ai mund ta bëjë, dhe kjo është sigurisht ajo që shpresoj për të”, ka thënë Hajdari.
Shaipi është portieri i dytë i Kosovës, ndërsa nga fillimi i shtatorit ishte portieri i dytë edhe te skuadra zvicerane, Lugano.
Shaipi pritet të jetë startues te Kosova për ndeshjen ndaj Sllovenisë. Portieri i parë Aro Muriq është i suspenduar.



