Sulmuesi i Mançester Sitit, Erling Haland, mund të shpallet lojtari më i mirë i sezonit në Premier Ligë për të dytin vit radhazi. 23-vjeçari norvegjez është nominuar për këtë çmim së bashku me shokun e skuadrës së Sitit, Fill Foden. Mesfushorët e Arsenalit, Martin Odegard dhe Deklan Rajs, sulmuesi i Çelsit, Kol Palmer, sulmuesi i Njukasëllit, Aleksander Isak, sulmuesi i Aston Vilës, Oli Uotkins dhe mbrojtësi i Liverpulit, Virxhil van Dajk, plotësojnë listën e finalistëve. Fituesi, që do të përcaktohet nga një votim publik dhe një panel i Premier Ligës, do të shpallet më 18 maj.
TRAJNERËT – Tekniku i Sitit, Pep Guardiola, katër herë fitues i çmimit të trajnerit të sezonit, është përsëri në listën e finalistëve, së bashku me Mikel Artetën e Arsenalit, Jyrgen Klopin e Liverpulit, Unai Emerinë e Aston Vilës dhe Andoni Iraolën e Bornmëthit. Vitin e kaluar Haland u bë lojtari i parë që e fitoi çmimin e lojtarit të sezonit dhe çmimin e talentit, pasi shënoi 36 gola në 35 ndeshje të kampionatit. Ai ka shënuar 25 gola këtë sezon teksa Siti kërkon titullin rekord të katërt radhazi.
Ish-sulmuesi i Mançester Junajtid, Kristiano Ronaldo është lojtari i vetëm që e ka fituar çmimin në dy sezone radhazi, në 2006-07 dhe 2007-08. Këtë muaj, Fill Foden u shpall futbollisti i vitit nga Shoqata e Gazetarëve të Futbollit. Anglezi ka shënuar 16 gola në ligë dhe ka dhënë tetë asiste këtë sezon. Në katër sezonet e fundit çmimin e ka fituar gjithnjë një futbollist i Sitit, ndërsa suksesi i Halandit erdhi pas atij të Kevin de Bryjnes në 2019-20 dhe 2021-22 dhe Ruben Diazit në 2020-21. Ndërsa Odegard dhe Rajs kanë luajtur rol kyç për Arsenalin që kërkon titullin e parë në 20 vjet.
Kapiteni i “topçinjve” ka shënuar tetë gola dhe dhënë tetë asiste, ndërsa Rajs ka shënuar nëntë gola dhe dhënë shtatë asiste në sezonin e tij të parë që kur u bashkua me Uest Hemin. Kol Palmer, i cili iu bashkua Çelsit nga Siti në shtator, ka shënuar 21 gola dhe ka dhënë nëntë asiste, ndërsa suedezi Isak ka 20 gola dhe një asist këtë sezon. Uotkins ka shijuar një sezon të frytshëm me 19 gola dhe 12 asiste, ndërsa ndërkombëtari holandez Van Dajk, i cili e fitoi çmimin në 2018- 19, udhëhoqi Liverpulin drejt Kupës Karabao këtë sezon. Haland, Foden, Palmer dhe Isak janë nominuar gjithashtu në listën finale për çmimin e lojtarit të ri të sezonit në Premier Ligës, së bashku me sulmuesin e Arsenalit Bukajo Saka dhe mbrojtësin Uilliam Saliba, mesfushorin e Mançester Junajtid, Kobi Maino dhe mbrojtësin e Totenhemit, Destini Udogi.
PANORAMASPORT.AL