Erling Haland mund të ketë shënuar pesë gola kundër Lutonit të martën mbrëma, por ai nuk iu afrua dot rekordit të golave në një ndeshje të Kupës FA.
Ky nder i takon legjendës së Bornmëthit, Ted MekDugall, i cili shënoi nëntë gola në ndeshjen e raundit të parë kundër Margejt në vitin 1971. Ish-sulmuesi i “qershive” tregon në një intervistë për “Sun Sport” për arritjen e tij të mrekullueshme:
“Nuk e kisha idenë absolutisht në atë kohë se kisha thyer ndonjë rekord golash kur shënova nëntë për Bornmëthin në fitoren 11-0 kundër Margejt që nuk luante në futbollin profesionist. Duke qenë një sulmues tipik i fiksuar pas golave, do të doja t’i kisha shënuar të 11-të pasi u ula në dhomën e zhveshjes më pas. Por vetëm kur ‘BBC’ më kontaktoi më vonë atë të shtunë në mbrëmje dhe më tha se ishte numri më i lartë i golave nga çdo lojtar në një ndeshje të Kupës FA që kur një djalë i quajtur Vilfred Minter kishte shënuar shtatë gola për St Albans në 1922, kuptova se emri im kishte hyrë në librat e rekordeve.
Në atë kohë mbaj mend që thashë në intervistë se rekordet janë për t’u thyer dhe do të ishte vetëm çështje kohe para se dikush të arrinte dopioshifra në një ndeshje të Kupës FA. Por tripleta ime e tripletave është ende atje, e pathyer deri më sot dhe tani nuk jam aq i sigurt se do të thuhet ndonjëherë, duke pasur parasysh mënyrën se si loja ka ndryshuar.
Dy gjërat që mbaj mend mirë në lidhje me ndeshje është se ishte një ditë me shi dhe menaxheri kundërshtar i Margejt, Les Rigs, na injoroi në media para ndeshjes. Unë kisha shënuar 42 gola gjatë sezonit të kaluar te Bornmëthi, kështu që po fitoja pak reputacion si golashënues serial, por me afrimin e ndeshjes së raundit të parë, Rigs më injoroi duke thënë: ‘Ne do ta trajtojmë atë si çdo lojtar tjetër’. Pasi shënova pas 90 sekondash, golat e tjerë thjesht vazhduan të hynin.
Unë kisha shënuar tregolëshin tim të parë pas 27 minutash, shoku i skuadrës Miki Kejv shtoi një të katërt dhe në pjesën e parë unë kisha shënuar pesë. Plakushi i dashur Les (Rigs) me shaka e pyeti menaxherin tim në atë kohë, brilantin Xhon Bond, nëse do të ishte e mundur të më zëvendësonte! Bondi nuk e përfilli fare. I shtova katër gola të tjerë në pjesën e dytë, duke shënuar të nëntin me dy minuta të mbetura. Mel Makin kishte shënuar golin e dhjetë mes tyre. Por nuk mbaj mend që ndonjëri prej tyre të ishte spektakolar.
Ishin gola tipik nuhatjeje. Unë kisha atë aftësi për të qenë në vendin e duhur në kohën e duhur dhe gjithashtu isha i bekuar që isha i shpejtë në metrat e fundit dhe fushë. Pavarësisht se shënova të gjithë ata gola, nuk më dhanë topin e ndeshjes në fund. U preka që disa javë pas ndeshjes klubi më dhuroi një orë ‘Omega’ me një gdhendje me nëntë topa në anën e pasme. Mendova se ishte një gjest i mrekullueshëm dhe jam i sigurt që Bondi e ka orkestruar atë.
Mësova kaq shumë nën drejtimin e tij dhe isha i kënaqur që u takova me të te Noruiçi pas qëndrimeve te Mançester Junajtid dhe Uest Hemi. Pavarësisht se e nisa si një nxënës te Liverpuli dhe luaja për Jork, Mançester Junajtid, Uest Hem, Noruiç dhe Sauthempton, është Bornmëthi pika ime e dobët. Një gjë është e sigurt, nuk do të mërzitem kurrë duke folur për 20 nëntorin 1971 dhe ditën kur shënova emrin tim në librat e rekordeve të Kupës FA me tripletën e tripletave”.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL