Zlatan Ibrahimoviç, këshilltari i lartë i “RedBird” për Milanin, ka dhënë një intervistë interesante për “Sports Illustrated”. Të shumta temat e prekura, që nga momenti i tij aktual, deri te mundësia për të qenë trajner. Ja cilat ishin deklaratat e suedezit për këtë çështje.Milani është fokusuar te të rinjtë që ndryshe nga bindja e zakonshme, ata kuqezi duken të disiplinuar…
Nëse kthehemi dhjetë vjet prapa, njerëzit ndoshta thonë të njëjtën gjë, që brezi i ri nuk e dëgjon brezin e vjetër. Dhe nëse shikoni njëzet vjet pas, do të ishte e njëjta gjë. Por lojtarët e rinj duhet të kenë pikërisht këtë vetëbesim dhe mentalitet që të mund të ecin në rrugën e tyre. Nuk mund t’ia heqësh këtë personazh, këtë ambicie dhe këto vizione. Ata duhet të lejohen të jetojnë pak dhe të bëjnë gjërat e tyre. Sigurisht që edhe ata duhet të mësojnë dhe kjo është ajo që unë e shoh si detyrën time: t’i udhëheq ata në rrugën e tyre me përvojën time të lidershipit.
A vazhdoni të mos e shikoni veten si trajner?
Aktualisht, po. Nuk dua të jem trajner sepse nuk është shumë punë për mua. Duhet të mbulosh shumë fusha, të gjesh ide dhe zgjidhje, të përgatitësh dhe të ndjekësh ndeshjet dhe trajnerin. Ju punoni ditë e natë. Një vit si trajner do të më dukej si dhjetë vjet. Kështu që nuk është diçka që më tërheq.
Si ju duket zhvillimi i futbollit përmes taktikave?
Kjo ka të bëjë më pak me futbollin sesa me trajnerët. Shumë trajnerë kanë një filozofi dhe një stil loje, dhe më pas lojtari në aspektin individual bëhet i parëndësishëm, sepse të gjithë janë të detyruar të adoptojnë një taktikë ose sistem. Sigurisht, filozofia e një trajneri është e rëndësishme dhe e nevojshme për të menaxhuar ekipin. Por besoj se lojtari si individi është gjëja më e rëndësishme në ekip. Sepse ai shkon në fushë dhe bën diferencën. Dhe në përgjithësi nuk mendoj se futbolli do të bëhet i mërzitshëm. Përkundrazi, ndiej se vazhdon të rritet. Thjesht duhet të tregoheni të zgjuar dhe të mos mbylleni para zhvillimeve të reja.
Si ju duket kur Halandin e krahasojnë me ju?
Ndoshta nga bishtaleci (qesh). Nuk më pëlqen të krahasoj lojtarët me njëri-tjetrin, sepse secili bën udhëtimin e tij dhe shkruan historinë e tij. Kam pasur epokën time, kam luajtur sipas mënyrës sime. Tani ai ka epokën e tij dhe luan në mënyrën e tij. Pra, nuk mund të ketë një Zlatan të ri. Unë i kam bërë detyrat e shtëpisë, por e kam kaluar datën e skadencës. Erling Haland është një lojtar i madh dhe po bën një punë fantastike.
Përse nuk shkuat kurrë në Gjermani gjatë karrierës tuaj?
Futbolli në Gjermani është i jashtëzakonshëm. Më pëlqejnë stadiumet atje, sepse janë gjithmonë të mbushura. Të luash për një klub si Bajerni për shembull nuk do të kishte qenë keq, vetëm për shkak të historisë dhe lojtarëve të klubit. Për mua ai bavarez është një nga pesë klubet më të mëdha në botë. E admiroj shumë futbollin gjerman dhe kombëtaren. (…) Ata ndoshta nuk mund ta përballonin një blerje timen (qesh). Të them të drejtën nuk ka pasur kurrë mundësi për të lëvizur atje. Patjetër që do të ishte mirë, por fati kishte plane të tjera për mua.
REINOLD BAKALLI-PANORAMASPORT.AL