Lewis Hamilton mungoi të premten në testet për gomat “Pirelli” në Mugello, pasi po qëndron pranë qenit të tij të dashur, Roscoe, i cili është në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Kampioni anglez i Ferrarit tregoi se kishte kaluar “disa orë të tmerrshme” dhe iu kërkoi ndjekësve të luteshin për shërimin e Roscoe.
Në një postim në Instagram, Hamilton shpjegoi: “Ju lutem, mendoni për Roscoe. Ai u prek përsëri nga pneumonia dhe i vështirësohej frymëmarrja. U shtrua në spital dhe i dhanë qetësues, por gjatë procesit zemra iu ndal”.
Ai shtoi se mjekët arritën ta rikthenin në jetë, por tani është në koma: “Nuk e dimë nëse do të zgjohet. Nesër do të përpiqen ta zgjojnë. Jam pranë tij dhe dua t’ju falënderoj për lutjet e mbështetjen”. Postimi u shoqërua me foto prekëse të Hamilton pranë Roscoe, pas intubimit të këtij të fundit, si pasojë e arrestit kardiak.