Në garat e fundit të Formula 1, veçanërisht në provat zyrtare, Lewis Hamilton kishte treguar njëfarë përmirësimi me Ferrari. Gjithsesi, gara e fundit në Brazil rrëzoi gjithçka të mirë që “kokëkuqja” pat ndërtuar, me të dy pilotët që e mbyllën garën para kohe, duke mos marrë asnjë pikë.
Tashmë është koha për garën e radhës në Las Vegas dhe te Ferrari synojnë të ndryshojnë ritëm, për t’u ngjitur sërish në vendin e dytë për konstruktorë. “Gara e fundit në Brazil ishte një makth për ekipin tonë”, tha Hamilton.
“Më vjen keq për atë që ndodhi në start, pasi mund të kapnim sërish podiumin. Nëse shikoni performancën e Charles Leclerc në kualifikime, mund të shihni se makina ka njëfarë shpejtësie. Shpresojmë që në Las Vegas situata të jetë ndryshe dhe të rikthehemi aty ku dëshirojmë”, shtoi britaniku.
“Asgjë nuk është e mbyllur dhe me 3 gara të mbetura gjithçka mund të ndodhë. Vendi i dytë për konstruktorë është ende objektivi ynë, çka do të thotë shumë për ekipin. Ekipi ka punuar shumë për të sjellë një makinë konkurruese në një pistë të shpejtë si ajo e Las Vegas”, deklaroi Hamilton.


