Tuesday, 3. February 2026
Sport

Hamilton synon rilindjen në 2026-ën, ndryshime në skuadër dhe ndarje me menaxherin Hynes

GS 03/02/2026 2 Min. Lesezeit

Piloti britanik rinis gjithçka nga fillimi. Rinovim i skuadrës në krah të tij dhe inxhinier i ri në pistë.

Lewis Hamilton e fillon nga zero. Pas vitit të parë te Ferrari, ku mbylli një 2025 ekstremisht të komplikuar, ai është gati ta fillojë 2026-ën me një frymë ndryshe. Por edhe me një skuadër të re. Sipas “Daily Mail” në Angli, 7 herë kampioni i botë i ka dhënë fund bashkëpunimit me Marc Hynes, asistentin e tij historik.

Hynes në fakt duket se është gati për një pozicion të ri te Cadillac, skuderinë e re të Botërorit 2026 të F.1, prandaj dhe është ndarë nga Hamilton. Mbetet për t’u parë, nëse Hynes do të jetë ende i përfshirë në punët e Lewis, duke qenë se ish-piloti i F3 ka qenë administrator i “Project 44”, kompanisë së Hamilton.

Pas ndarjes së 5 viteve më parë, Hamilton dhe Hynes rifilluan të punonin bashkë. Tani ky raport pune ka përfunduar në mënyrë miqësore. Gjatë testeve të fundit në Barcelonë është parë një Hamilton shumë optimist dhe i karikuar për sezonin e ri.

Piloti britanik kërkon të lërë pas gjithçka që ndodhi në 2025-ën. Viti i parë me Ferrarin ishte shumë i dobët dhe rilindja e Hamilton kalon edhe nga rinovimi komplet i skuadrës. Duke nisur nga inxhinieri i pistës, me Riccardo Adami që e ka lënë këtë detyrë dhe në vend të tij do të jetë Cedric Michel-Grosjean. Ky i fundit vjen nga McLaren, ekspert në zhvillimin e performancës së Oscar Piastri.

Teilen: